Linja telefonike që lidh Manchesterin në Torino po ‘nxehet’ gjithnjë e më shumë dhe protagonisti është i njëjti i muajve të fundit, Bernardo Silva.

Pas telefonatës me vlerësime të Luciano Spallettit për mesfushorin portugez që është drejt skadencës së kontratës me Manchester City, ishte vetë futbollisti ai që telefonoi shokët e skuadrës në kombëtaren e Portugalisë për të parë më konkretisht mundësinë e transferimit te Juventusi.

Sipas të përditshmes ‘Tuttosport’, Bernardo Silva në fakt i ka telefonuar Cristiano Ronaldos, Joao Cancelos dhe Danilos, 3 lojtarë që kanë përjetuar një eksperiencë me Zonjën e Vjetër. Mësohet se ai nga të tre kolegët e tij ka marrë përgjigje pozitive. Është ky një hap tjetër për blerjen e Juventusit në merkato duke qenë se Bernardo Silva prej kohësh e ka marrë parasysh mundësinë e transferimit të tij.

Drejtuesit bardhezinj kanë ofruar një kontratë 2 vjeçare me opsion zgjatjen e saj deri në 2029 me një pagë prej 6 milionë eurosh në sezon plus 2 milionë euro bonus. Në këtë pikë lind pyetja; çfarë mungon? Në radhë të parë, pritet fundi i sezonit, me Manchester City që do të tentojë t’i rrëmbejë titullin Arsenalit dhe me Juventusin që do të kërkojë të blindojë zonën Champions. Fitorja ndaj Lecces e afron skuadrën e Spallettit me objektivin e tij dhe pas ndeshjes, trajneri toskan foli pak më shumë sec duhet për merkaton dhe jo vetëm në lidhje me Vlahovic. Duke folur, Spalletti la të kuptohej se skuadrës së tij i mungon një mesfushor sulmues që mund të bëjë diferencën në metrat e fundit. Bernardo Silva ka profilin perfekt, por Juventusi duhet të ketë vëmendjen edhe te konkurrenca, sidomos ajo e Galatasaray. Klubi turk ofron një kontratë 2 vjeçare me pagë 10 milionë euro në sezon, por ka edhe një as nën mëngë, Ilkay Gundogan, mikun e Bernardo Silvës në mënyrë që të bindë luzitanin për t’u transferuar në Stamboll. Nga ana e tij mesfushori po reflekton, por duket se i ka përjashtuar ofertat e pasura nga MLS dhe Arabia Saudite pasi preferon të qëndrojë në një prej kampionateve të rëndësishme në Evropë.

Top Channel