SHBA kërkon zgjerim ushtarak në Groenlandë, negociata intensive me Danimarkën për baza të reja

12/05/2026 17:15

Shtetet e Bashkuara dhe Danimarka janë në bisedime të avancuara për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në Groenlanda, mes shqetësimeve në rritje për aktivitetin rus dhe kinez në rajonin e Arktikut.

Sipas raportimeve të BBC-së, kontaktet diplomatike mes palëve janë intensifikuar muajt e fundit, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për rëndësinë strategjike të Groenlandës. Uashingtoni raportohet se po kërkon krijimin e tre bazave të reja ushtarake në jug të ishullit, me fokus monitorimin e lëvizjeve detare të Rusisë dhe Kinës në korridorin detar mes Groenlandës, Islandës dhe Mbretërisë së Bashkuar. Trump kishte deklaruar më herët se SHBA-të duhet ta “zotërojnë” Groenlandën për të shmangur rritjen e ndikimit rus apo kinez, duke sugjeruar se kjo mund të realizohej “në mënyrën e lehtë ose të vështirë”. Megjithatë, burime diplomatike theksojnë se gjatë negociatave nuk është diskutuar zyrtarisht ndonjë skenar pushtimi apo kontrolli të territorit.
Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar zhvillimin e bisedimeve me Danimarkën dhe Groenlandën, ndërsa Ministria e Jashtme daneze pranoi ekzistencën e një kanali aktiv diplomatik me Uashingtonin. Sipas informacioneve, një nga bazat e reja mund të ndërtohet në Narsarsuaq, ku më parë ka funksionuar një bazë ushtarake amerikane. Analistët vlerësojnë se objektet e tjera do të ndërtohen pranë porteve dhe aeroporteve ekzistuese për të ulur kostot e infrastrukturës.
Bisedimet po zhvillohen kryesisht nga një grup i vogël zyrtarësh në Uashington. Një rol kyç raportohet se ka Michael Needham, i cili po punon për një marrëveshje që do të plotësojë kërkesat e administratës amerikane pa cenuar “vijat e kuqe” të Danimarkës.
Në negociata janë përfshirë gjithashtu ambasadori danez në SHBA, Jesper Møller Sørensen, dhe diplomati i Groenlandës në Uashington, Jakob Isbosethsen. Sipas burimeve, të paktën pesë takime janë zhvilluar që nga mesi i janarit.
Ndërkohë, kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, deklaroi se kontaktet me SHBA-në “kanë bërë hapa në drejtimin e duhur”, por theksoi se sovraniteti i Groenlandës nuk është në diskutim. Aktualisht, SHBA-të kanë një bazë ushtarake në Groenlandë, Baza Hapësinore Pituffik, e përdorur për monitorimin e kërcënimeve raketore në kuadër të sistemit NORAD.

Top Channel