“Ka nga ata që luten të mos hyjmë në BE”, Balla kritika opozitës: Jepeni një votë që të thoni se kontribuuat edhe ju

12/05/2026 13:10

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, nuk i kurseu kritikat ndaj opozitës gjatë seancës dëgjimore të Komisioni për Evropën dhe Punët e Jashtme, që u mbajt me ministren e Shtetit dhe Kryenegociatore, Majlinda Dhuka, për raportin e qeverisë për procesin e integrimit në BE.

Balla nënvizon përparim e madh që vendi ynë ka bërë në negociatat për të hyrë në BE, teksa kritikon opozitën se nuk kontribuon aspak në këtë proces, madje ai shprehet se ka nga ata që luten që Shqipëria të mos anëtarësohet në BE.

“Shpreh mirënjohje për punën e deritanishme, Shqipëria ka thyer një rekord si asnjë vend tjetër më parë për mbylljen e negociatave, në ambicien tonë sfiduese për t’i mbyllur brenda Krishtlindjeve të vitit të ardhshëm, mesazh ambicioz, por me këtë ekip që ju Kryenegociatore drejtoni do t’i arrijmë, por ne si Kuvend të shohim rolin tonë të domosdoshëm për t’i qëndruar strikt afatit.

Gjejeni veten dhe thoni bujrum, jepe një votë, po them po jap një votë, po e vë një tullë. Thuaj po jap edhe unë një dorë, e të thoni që kam kontribuar edhe unë në anëtarësimin e BE-së, ju dashamirësit apo dashnorët e Bashkimit Evropian. Ndaj i referohem vlerësimeve që vijnë nga kryekomisionerja Marta Kos. Ajo thotë se Shqipëria është shembulli më i mirë transformues.

Mali i Zi i ka nisur bisedimet në qershor të vitit 2012, edhe atij që i shërben ti, që është deputet i atij që ishte atëherë, i atij që i mban çantën, e vlerëson procesin (i drejtohet një prej deputetëve të PD). Por edhe presidenca daneze e vlerëson progresin shumë mbresëlënës. Ata e vlerësojnë procesin e integrimit të mirë.

Ka nga ata që thonë e luten që Shqipëria të dështojë. Shqipëria duhet të jetë dhe do jetë anëtare e BE-së. Ne duhet të nisim përgatitjen që të ketë kandidatët e vetë në zgjedhjet parlamentare të vitit 2029. Raporteri Schider e konsideroi Shqipërinë si vendi më i avancuar, pararojë nëse do t’i referohesha fjalës fiks, lokomotivë nëse e doni, se pashë pasthirrma pas fjalës time”, tha deputeti socialist.

Top Channel