Xabi Alonso, pas largimit nga Reali i Madridit vendosi të shkëputej për pak kohë nga futbolli duke iu dedikuar familjes. Por emri i tij po përmendet nga të gjithë.

Në radhë të parë për mënyrën sesi e mbylli Reali i Madridit këtë sezon që e nisi me të në stol dhe në radhë të dytë për të ardhmen dhe mundësitë që i paraqiten për të vijuar karrierën e tij.

Një e re në lidhje me këtë çështje është interesimi i Chelsea për spanjollin. Sipas të përditshmes spanjolle AS, Blutë kanë kontaktuar me të për ta pasur në radhët e tyre sezonin e ardhshëm. Pas shkarkimeve të Marescas dhe Liam Rosenior, Chelsea kërkon një trajner të ri dhe metodik dhe Xabi Alonso ka profilin perfekt

Edhe pse mënyra e të vepruarit e BlueCo, që ka në pronësi Chelsea, nuk është më e zakonshmja për trajnerë striktë si Xabi Alonso, mundësia për të arritur një marrëveshje me të duhet vlerësuar gjithnjë. Alonso po e studion propozimin dhe nëse do të pranojë, vendi do të jetë i tij, edhe pse është përmendur edhe emri i Iraolës. Ndërsa në orët e fundit, Telegraph shtoi edhe emrat e Glasner dhe Filipe Luis.

Por në këtë pikë ka një handikap; Chelsea në këtë moment është jashtë zonës evropiane në klasifikimin e Premier League, gjë që mund të kushtëzojë ardhjen e një trajneri të ri. Por Blutë kanë finalen e FA Cup dhe ndeshjet e mbetura në Premier League që mund ta ndryshojnë situatën aktuale. Por sidoqoftë, Xabit nuk do t’i vinte keq të merrte drejtimin e Chelsea edhe pa qenë në kompeticionet evropiane, diçka që e ndihmoi në sezonin e tij të parë të plotë me Leverkusen kur fitoi edhe titullin në Bundesligë

Ndërkaq, ajo që mbetet e bllokuar është çështja e Liverpool. Sezoni aktual me Slot është diskret, por fitorja e kampionatit sezonin e kaluar i ka dhënë kredite mjaftueshëm që të mbajë postin e tij edhe pas këtij sezoni. Nuk është e nevojshme të thuhet se Xabi që ka një lidhje të rëndësishme me Anfiled, do t’i pëlqente të drejtonte një ditë skuadrën e The Reds, por për këtë ai duhet të presë që t’i lirohet vendi. Nga kjo do të kërkojë të përfitojë Chelsea për të siguruar shërbimin e 44 vjeçarit. Shumë në Stamford Bridge besojnë se Blutë mund ta marrin, por nuk përjashtohet mundësia që Xabi të marrë sërish kohë deri sa të dalin opsione më interesante. Gjithçka do të konkretizohet në javët e ardhshme

Top Channel