Duket se ‘historia e dashurisë’ mes Milanit dhe Rafael Leaos po shkon drejt fundit. Edhe në ndeshjen me Atalantën, portugezi është cilësuar si një prej përgjegjësve kryesorë të krizës së skuadrës nga tifozët kuqezinj.

Nga tribuna u dëgjuan sërish fërshëllima ndaj tij dhe kjo jo vetëm në momentin që doli nga fusha e lojës me San Siro që vuri në dukje cdo gabim të tij.

Në këtë pikë, raportet mes tij dhe tifozerisë bëhen thuajse të pariparueshme; asgjë nuk është e pamundur, por është krijuar ndjesia se si Milani ashtu edhe vetë Leao kanë nevojë të bëjnë një hap të mëtejshëm për të mirën e tyre. Për këtë arsye ne muajt e verës është e mundur që klubi kuqezi të marrë në konsideratë ofertat e mundshme që mund të vijnë për Leaon. Te Milani janë të ndërgjegjshëm se pavarësisht sezonit me ulje ngritje të tij, portugezi është një futbollist i shkëlqyer.

Leao ka edhe 2 vjet në kontratën e tij me pagë 7 milionë euro në sezon. Kështu që sesioni i merkatos i kësaj vere është mpmenti ideal për të tentuar shitjen e tij për të evituar një zhvlerësim të vlerës së kartonit të tij në vitin e skadencës së kontratës. Kjo edhe sepse për momentin bisedimet për një rinovim të mundshëm janë totalisht të ngrira. Për këto arsye është e drejtë të mendohet se në verë mund të mjaftojë një ofertë prej rreth 50 milionë euro për të shitur përfundimisht Leaon.

Për momentin te Milani ende nuk kanë ardhur kërkesa apo oferta zyrtare për luzitanin. Merkato rreth Leaos duhet ende të ndizet, por diçka në sfond po lëviz; Manchester United ka shkruar emrin e portugezit në listën e përforcimeve të mundshme, madje emisarë të Djajve të Kuq e kanë ndjekur nga afër në disa raste.

Top Channel