Pasarela në fshatin Anë Vjosë është kthyer në një nga pikat më të rrezikshme të kalimit për banorët e zonës.
E ndërtuar që në kohën e komunizmit, kjo urë e vogël këmbësorësh ka arritur t’i rezistojë viteve, por prej më shumë se pesë vitesh po shkon drejt degradimit të plotë.
Gjendja e saj është alarmante: në shumë segmente mungojnë dërrasat, ndërsa në vend të tyre banorët kanë vendosur në mënyrë provizore degë pemësh, të cilat nuk ofrojnë asnjë siguri. Dërrasat e mbetura janë të kalbura, duke e bërë çdo hap një sfidë të vërtetë dhe një rrezik potencial për jetën.
Kjo situatë prek jo vetëm të rriturit, por edhe fëmijët, të cilët detyrohen të kalojnë çdo ditë për të shkuar në shkollën e bashkuar në Iliras.
Për të shmangur rrezikun, shumë prej tyre zgjedhin një rrugë alternative, duke përshkuar kilometra të tëra në këmbë. Banorët e fshatit, së bashku me kryeplakun, shprehen se e kanë ngritur disa herë këtë problem dhe madje kanë dorëzuar edhe një peticion pranë bashkisë, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme. Megjithatë, deri më tani nuk është marrë asnjë masë konkrete.
Ndërkohë, pasarela vijon të mbetet një rrezik i hapur, duke vënë çdo ditë në provë sigurinë e banorëve të Anë Vjosës, të cilët kërkojnë zgjidhje urgjente përpara se të ndodhë ndonjë ngjarje e rëndë.
Top Channel