AIDSSH dorëzon në Prokurori provat për 6 vendvarrime të dyshuara të viktimave të komunizmit, kërkon vijimin e procedurave në terren

09/05/2026 10:33

Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH), referuar vendimit unanim të organit kolegjial i përcolli dje Prokurorisë së Përgjithshme, prokurorive në rrethe, drejtorive vendore të policisë, komisariateve, bashkive dhe institucioneve të tjera përgjegjëse në Shkodër, Lezhë, Mirditë, Vlorë, Korçë, Kolonjë dhe Himarë kërkesat për vijimin e procedurave ligjore dhe hetimore lidhur me 6 vendvarrime të dyshuara të personave të zhdukur gjatë regjimit komunist, ku janë evidentuar të dhëna me probabilitet të lartë për praninë e mbetjeve mortore.

Referuar vendimit të organit kolegjial në dokumentacionin e përcjellë pranë organeve të drejtësisë, AIDSSH kërkon: “Shqyrtimin juridik të çështjeve dhe autorizimin e ndërmarrjes së veprimeve procedurale të nevojshme që lidhen me kryerjen e gërmimeve dhe zhvarrimeve të kontrolluara për qëllime kërkimi, rikuperimi dhe identifikimi të mbetjeve mortore, si edhe koordinimin ndërinstitucional për organizimin dhe ndjekjen e procesit të ndërhyrjeve në terren”.

Veprimet vijnë pas një procesi disa-vjeçar hetimi administrativ, mbledhjeje dëshmish nga familjarët dhe verifikimesh arkivore të kryera nga Autoriteti, si edhe ekspertizave jo-invazive të realizuara në bashkëpunim me Komisionin Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP), përmes radarëve dhe metodave antropologjike që kanë evidentuar me probabilitet të lartë praninë e mbetjeve mortore në disa prej vendeve të dyshuara.

Autoriteti thekson se nga dokumentacioni i administruar rezultojnë të dhëna të arsyeshme mbi praninë e mundshme të mbetjeve mortore në këto vendvarrime të dyshuara.

Vendvarrimet e referuara përfshijnë:

  • Varrezat e Rrmajit në Shkodër, ku dyshohet se ndodhen eshtrat e Jup Kazazi, Sait Kazazi, Gjon Shllaku, Dom Luigj Zojzi dhe personave të tjerë të ekzekutuar gjatë viteve 1948–1953;
  • zonën pranë ish-Burgut të Spaçit në Mirditë;
  • zonën e Shpal pranë kishës, ku dyshohet se ndodhen organizatorët e Revoltës së Spaçit të vitit 1973: Pal Zefi, Skënder Daja, Hajri Pashaj dhe Dervish Bejko;
  • vendvarrimin e dyshuar në Mallkeq;
  • vendvarrimin e dyshuar në Shënvasil, ku dyshohet për Hasan Hamza, Fiqiri Marika dhe Zyhdi Çitaku;
  • si dhe vendvarrimin e dyshuar në Shelegur, në malin e Gramozit, ku është lokalizuar vendi ku dyshohet se ndodhen mbetjet mortore të Dhimitër Kono.

Për shumë familje shqiptare, kërkimi i të zhdukurve mbetet një plagë e hapur prej dekadash, pasi shumë prej viktimave të ekzekutuara ose të vdekura në burgje e kampe nuk iu dorëzuan kurrë familjarëve. Përmes kërkesave të depozituara pranë organeve të drejtësisë, Autoriteti synon avancimin e procesit drejt autorizimit të gërmimeve, identifikimit me ADN dhe rikthimit të eshtrave pranë familjeve, në përputhje me praktikat ndërkombëtare për personat e zhdukur me forcë.

AIDSSH thekson se Shqipëria ka detyrime ndërkombëtare në raport me zbardhjen e fatit të personave të zhdukur dhe trajtimin me dinjitet të mbetjeve mortore, ndërsa u bën thirrje institucioneve dhe qytetarëve që disponojnë informacion për vendvarrime të dyshuara të bashkëpunojnë në këtë proces, duke e cilësuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve si një detyrim human, ligjor dhe moral të shoqërisë shqiptare.

 

 

Top Channel