Çfarë po ndodh te Reali/ Nga problemet me Xabin te hatërmbetjet mes lojtarëve, sherri Valverde-Tchouameni vetëm maja e ajsbergut

08/05/2026 10:15

Atmosfera brenda Real Madrid duket se është më e përçarë se kurrë.

Një përplasje e ashpër mes Federico Valverde dhe Aurélien Tchouaméni gjatë stërvitjes të enjten ka nxjerrë në pah tensionet e brendshme që kanë ndodhur që prej fillimit të sezonit.

Burime pranë qendrës stërvitore Valdebebas thanë se konflikti fillimisht lindi nga një ndërhyrje e fortë, frika e lëndimeve përpara Kupës së Botës dhe tensioni që kishte paraprirë El Clásico. Megjithatë, sipas tyre, kjo është vetëm maja e ajsbergut, pasi konflikti ka rrënjë shumë më të thella brenda dhomës së zhveshjes.

Fillimi i përçarjes

Marca zbulon se problemet u shfaqën qartë që nga tetori, kur disa lojtarë, përfshirë kapitenët Vinicius Jr. dhe Valverde, shfaqën pakënaqësi me metodologjinë e stërvitjes së trajnerit të atëhershëm Xabi Alonso. Kritikët shprehën ankesa për intensitetin taktikal, analizën e vazhdueshme të videove dhe metodologjinë e konsideruar të ngurtë, duke e parë këtë si një pengesë për performancën individuale.

Ndërkohë, një grup lojtarësh, përfshirë Tchouaméni, mbështeti idetë e Xabit dhe konsideroi se ekipi kishte nevojë për kohë për t’u përshtatur me qasjen taktike të tij. Por përçarjet u thelluan kur Vinicius shfaqi hapur pakënaqësinë e tij gjatë El Clásico, duke simbolizuar ndarjen e brendshme të skuadrës.

Ndërhyrja e Arbeloa-s dhe tensionet e vazhdueshme

Pas shkarkimit të Xabi Alonsos në janar, klubi emëroi Álvaro Arbeloa për të rivendosur stabilitetin. Megjithatë, Arbeloa trashëgoi një dhomë zhveshjeje të ndarë dhe me tensione të thella, ku disa lojtarë praktikisht nuk kanë kontakt me trajnerin dhe ankesat ndaj tij janë shtuar.

Incidenti më i fundit midis Valverde dhe Tchouaméni ka çuar në procedura disiplinore dhe është kulmi i një atmosfere toksike që përfshin edhe grindje të tjera të hershme mes lojtarëve, si ajo mes Antonio Rüdiger dhe Carreras.

Plagët e së kaluarës dhe sfidat për të ardhmen

Problemet nuk lidhen vetëm me trajnerin aktual. Largimi i Xabi Alonsos ka lënë plagë të freskëta brenda skuadrës, ndërsa mbështetësit e Mbappé po kontribuojnë gjithashtu në tensionet e përditshme. Mungesa e modeleve të qarta për t’u ndjekur ka bërë që disa lojtarë të ndihen të humbur, duke rritur shqetësimin për stabilitetin e ekipit.

Sipas eksperteve, një tjetër pikë problematike është sistemi i zgjedhjes së kapitenëve. Shumë zëra kritikojnë faktin që Valverde dhe Vinicius nuk janë zgjedhjet më të përshtatshme për të udhëhequr dhomën e zhveshjes, ku liderë të tjerë si Carvajal janë të rraskapitur, dhe Courtois, edhe pse i respektuar, është i katërti në renditjen e kapitenëve.

Top Channel