Angazhime në aktivitete argëtuese, nis pilotimi i programit “Pas Shkolle” në disa nga shkollat e kryeqytetit

07/05/2026 10:23

Ka nisur pilotimi i programit “Pas Shkolle” në disa nga shkollat e kryeqytetit.

Lajmi është bërë i ditur nga Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, nëpërmjet një postimi në faqen e saj zyrtare.

“Nga kjo javë ka nisur pilotimi i programit ‘Pas Shkolle’ dhe pas mbarimit të mësimit, nxënësit përfshihen në aktivitetet e preferuara që nga kërcimi, zejet tek arti pamor dhe bërja e detyrave të shtëpisë”, bën me dije Kumbaro.

Ministrja e Arsimit ka uruar nxënësit dhe mësuesit e shkollës “Androkli Kostallari”, një shkollë në periferi të Tiranës, ku programi “Pas Shkolle” ka nisur pilotimin me një numër të përcaktuar nxënësish.

Suksese nxënësve dhe mësuesve të përkushtuar të kësaj shkolle që përmes këtij programi edukojnë, argëtojnë dhe nxisin bashkëpunimin në komunitet”, shkruan Kumbaro.

Programi ‘Pas Shkolle’ aktualisht i pilotuar në 46 shkolla të Tiranës, nuk ka për qëllim vetëm zgjatjen e qëndrimit të nxënësve në shkollë, por krijimin e një mjedisi të sigurt e frymëzues, ku ata mund të zhvillojnë talentet, aftësitë sociale dhe qytetare.

Nisma synon gjithashtu të eliminojë fragmentimin e programeve ekzistuese dhe të krijojë një qasje të strukturuar, duke përfshirë iniciativa si arti dhe zejet, “Toka në shkollë”, ekipet sportive dhe shkolla si qendër komunitare.

Siç ka bërë të ditur më herët dhe Ministrja Mirela Kumbaro, me skemën e re të miratuar nga qeveria shqiptare, është dyfishuar pagesa për orë për mësuesit që do të angazhohen në programin ‘Pas Shkolle’.

Top Channel