Kaos në burgjet greke, 5 të dënuar humbin jetën brenda një muaji në burgun e Patrës
Themeluesi i CNN, Ted Turner, një nga pionierët më të mëdhenj të lajmeve ka ndërruar jetë në moshën 87-vjeçare.
Sipas një njoftimi për shtyp Turner u nda nga jeta këtë të mërkurë. Ai ishte një figurë ikonike e medias, i njohur për revolucionarizimin e transmetimit të lajmeve me krijimin e CNN, rrjeti i parë 24-orësh i lajmeve në botë.
I lindur në Ohajo dhe i rritur në Atlanta, Turner ndërtoi një perandori të fuqishme mediatike. Përveç CNN, ai zhvilloi kanale të njohura televizive për filma dhe vizatime, si dhe zotëroi ekipe sportive profesionale, përfshirë Atlanta Braves.
Përtej biznesit, Turner ishte një figurë shumëdimensionale: jahtman i njohur ndërkombëtarisht, filantrop dhe aktivist. Ai themeloi Fondacionin e Kombeve të Bashkuara, mbështeti eliminimin global të armëve bërthamore dhe u angazhua fuqishëm për mbrojtjen e mjedisit.
Megjithatë, ishte vizioni i tij për transmetimin e lajmeve në kohë reale, 24 orë në ditë, që e bëri atë një figurë transformuese në gazetari. Në vitin 1991, revista ‘Time’ e shpalli “Njeriu i Vitit” për ndikimin e tij global në mënyrën si publiku përjeton ngjarjet.
Turner më vonë ia shiti rrjetet e tij kompanisë Time Warner dhe u tërhoq nga drejtimi aktiv i biznesit, por gjithmonë e konsideroi CNN si “arritjen më të madhe” të jetës së tij.
Në një reagim, drejtori ekzekutiv i CNN Worldwide, Mark Thompson, e përshkroi Turner si një lider të guximshëm dhe vizionar: “Ai ishte dhe do të mbetet shpirti udhëheqës i CNN. Ne qëndrojmë mbi supet e tij.”
Në vitin 2018, pak para se të mbushte 80 vjeç, Turner bëri publike se vuante nga Leëy body dementia, një sëmundje progresive e trurit. Në fillim të vitit 2025, ai u shtrua në spital për një formë të lehtë të pneumonia, nga e cila u rikuperua përkohësisht në një qendër rehabilitimi.
Top Channel