Është një Kvaratskhelia që po çmend vëzhguesit e klubeve më të rëndësishme evropiane dhe nuk është ylli i Paris Saint Germain. Bëhet fjalë për Tornike Kvaratskhelia, vëllain e vogël të Khvicha.

I lindur në 2010, Tornike është një futbollist ofensiv i krahut të majtë ashtu sikurse vëllai i tij i famshëm, ndërkohë që një tjetër element që i bashkon të dy vëllezërit është aftësia për të gjuajtur me të dyja këmbët.

Tornike Kvaratskhelia është formuar në Inter Academy të Gjeorgjisë dhe në fillim të vitit kaloi te Dinamo Tbilisi, klubi që i prezantoi botën edhe Khvicha Kvaratskhelian dhe ku javën e kaluar ai bëri debutimin me skuadrën e parë. Për momentin 16 vjeçari është shfaqur me ekipet zinxhirë të Gjeorgjisë.

Emri i tij ka përfunduar në blloqet e shumë vëzhguesve të klubeve më të mëdha të Evropës, por për momentin skuadra që është vënë më shumë në lëvizje është Bayerni i Mynihut. Talenti adoleshent mësohet se ka udhëtuar drejt Mynihut për të takuar drejtuesit e klubit bavarez dhe për të parë strukturat e tij.

Top Channel