Disa pritje të jashtëzakonshme, një dalje nga porta që i kushtoi golin dhe një skenë me arbitrin që bëri xhiron e botës në rrjetet sociale. Ajo e së hënës ishte një mbrëmje me 1 mijë emocione për Gianluigi Donnarummën që pa që Manchester City të frenohej në shtëpinë e Everton.

Citizens, të detyruar të fitonin për të mos iu ndarë Arsenalit, nuk shkuan më shumë se barazimi 3-3 dhe tani janë 5 pikë prapa Topçinjve.

Shënjestra e tifozëve të Manchester City u bë mbrojtja e skuadrës së Guardiolës që u pa qartë se ishte në vështirësi. Nëse goli i parë i Evertonit lindi nga një gafë e Guehi, te goli i dytë pati pak faj edhe vetë Donnarumma. Portieri italian që pak para atij goli kishte bërë mrekullinë ndaj Ndiaye, doli keq në një goditje këndi që solli golin e O’Brien. Një dalje, që sipas tij u kushtëzua nga një faull i kundërshtarëve.

Donnarumma protestoi me forcë aq sa u ul në gjunjë përpara arbitrit Michael Oliver që e ndëshkoi me karton të verdhë pa pikë mëshire. Për Donnarummën ishte kartoni i 7 i verdhë duke u bërë portieri me më shumë kartonë të tillë në Evropë.

Skena u bë menjëherë virale në rrjetet sociale. ‘Në gjunjë para teje’ do të këndonte Morandi me Donnarummën që në sekondat e fundit shkoi në zonën kundërshtare në rastin e golit të Doku. Donnarumma, i përqafuar nga Haaland pas ndeshjes, tani ka detyrën që të mos pësojë më gola në 4 ndeshjet e fundit për të tentuar që të ndajë me Raya cmimin ‘Golden Glove’ që akordohet nga Premier League për portierin që e mban portën të paprekur në më shumë ndeshje.

Top Channel