“Unë i kam të gjitha kartat”, Shtëpia e Bardhë publikon imazhin e Donald Trump mes tensioneve me Iranin

04/05/2026 07:48

Shtëpia e Bardhë ka publikuar një imazh të Donald Trump duke mbajtur karta me frazën “Unë i kam të gjitha kartat”, një veprim që është interpretuar si shfaqje force ndaj Irani në kulmin e tensioneve për programin e tij bërthamor dhe situatën në Ngushticën e Hormuzit.

Paralelisht, Trump njoftoi në platformën Truth Social se Marina amerikane do të shoqërojë anije në rajon, në kuadër të një misioni që ai e quajti “Projekti Liria”, të cilin e paraqiti si një nismë me karakter humanitar. Ai shtoi gjithashtu se ka zhvilluar “biseda shumë pozitive” me Teheranin, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Në deklaratat e tij të fundit, presidenti amerikan ka theksuar se objektet bërthamore të Iranit janë dëmtuar rëndë nga sulmet amerikane, duke paralajmëruar se çdo përpjekje për rindërtim do të përballet me përgjigje të fortë ushtarake.
“Ne i kemi të gjitha kartat, ata nuk kanë asnjë,” ka deklaruar Trump, duke theksuar se po negocion nga një pozicion force në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.
Ky zhvillim vjen në një moment tensionesh të larta mes Uashingtonit dhe Teheranit, ndërsa situata në rajon mbetet e paqëndrueshme dhe e ndjeshme ndaj përshkallëzimit të mëtejshëm.

Top Channel