“Balta e kuqe” premierë në Tiranë, historia e Lanit vjen në ekran pas prezantimit në festivalin e Cottbus

03/05/2026 14:40

Lani, një fëmijë dymbëdhjetëvjeçar i komunitetit rom detyrohet të punojë pas shkollës në një fabrikë të vjetër mbetjesh.

Lani dëshiron të vijojë shkollën, por për këtë duhet të punojë për të siguruar të ardhura.

Por, në një nga ato ditë pune që duket se është pjesë e rutinës së tij të përditshme për shkak të padrejtësisë nga punëdhënësi, ëndrrat e tij të jetës do të ndryshojnë përgjithmonë.

Filmi me metrazh të shkurtër i regjisoren Evi Gjoni, me skenar të saj dhe Genc Përmetit, u dha premierë për publikun shqiptar.

 “Jam shumë e lumtur që sot kam mbledhur shumë miq dhe pjesëmarrës të industrisë së filmit. Me shumë dëshirë, pres reagimin e publikut”, tha regjisorja, Eva Gjoni.

“Ishte shumë kënaqësi të bashkëpunoj me Evin, ishte një eksperiencë fantastike për mua”, u shpreh producentja e filmit me metrazh të shkurtër.

Kjo shfaqje shënon prezantimin e parë në Tiranë, pas premierës botërore në Festivalin e Filmit në Cottbus.

Më herët, ky film që eksploron raportet njerëzore dhe sfidat e së përditshmes, pati premierën botërore në Festivalin e Filmit Cottbus në Gjermani, që konsiderohet një nga ngjarjet më prestigjioze të kinematografisë në Evropën Qendrore dhe Lindore.

 

Top Channel