Vrau dy persona, ekzekutohet vendimi me vdekje për 37-vjeçarin në Teksas/ Bashkëshortja e tij nga Kosova ndjek nga afër procesin, akuza autoriteteve: Kishte…

02/05/2026 21:15

Një i dënuar me vdekje, James Broadnax, është ekzekutuar me injeksion vdekjeprurës në një burg në Texas, pasi ishte shpallur fajtor për vrasje të dyfishtë në 2008, teksa bashkëshortja e tij me origjinë nga Kosova ka ndjekur nga afër procesin.

Ekzekutimi u zhvillua në prani të bashkëshortes së tij, Tiana Krasniqi, e cila ndoqi procesin nga dhoma e dëshmitarëve dhe shpërtheu në lot, duke i thirrur “Të dua” në momentet e fundit të jetës së tij.

Broadnax, 37 vjeç, ishte dënuar për vrasjen e dy producentëve të muzikës kristiane në Dallas. Sipas raportimeve mediatike, ai u shpall fajtor për vrasjen e Stephen Swan dhe Matthew Butler.

Pas ekzekutimit, Krasniqi reagoi publikisht duke kritikuar autoritetet amerikane dhe duke vënë në pikëpyetje mënyrën e zbatimit të dënimit.

Sipas saj, partneri “vuajti shumë nga injeksioni vdekjeprurës”, duke përmendur se kishte shenja gjaku dhe mavijosje, ndërsa shtroi pyetjen: “A është kjo drejtësi?”

Çifti ishte martuar vetëm pak ditë para ekzekutimit brenda burgut Allan B. Polunsky Unit, pasi ishin njohur në vitin 2024 përmes korrespondencës.

Krasniqi, e cila studion për të Drejtat Ndërkombëtare të Njeriut në Londër, kishte qenë e angazhuar në studimin e pabarazive në sistemin e drejtësisë amerikane.

Ndërkohë, edhe pse një i afërm i Broadnax kishte marrë përgjegjësinë për krimin në një fazë të mëvonshme, autoritetet nuk e konsideruan këtë dëshmi të mjaftueshme për të ndalur ekzekutimin.

Rasti ka rikthyer debatin mbi dënimin me vdekje në SHBA, veçanërisht mbi etikën dhe mënyrën e zbatimit të tij, një çështje që vazhdon të polarizojë opinionin publik.

 

Top Channel