Napoli për të siguruar matematikisht kualifikimin për në Ligën e Kampioneve, Como për të mos hequr dorë nga ëndrra për të qenë në Evropën e Madhe. Në sfond është Interi me një kampionat që duhet mbajtur hapur virtualisht.

Në Sinigaglia sfidohen mësuesi dhe nxënësi. Conte kundë Fabregas është edhe një kujtim i kohëve që kanë përjetuar së bashku te Chelsea kur trajneri aktual i Napolit drejtonte Blutë dhe trajneri i Comos në atë kohë ishte truri i mesfushës.

Një ndeshje që mund të jetë një pikë ndryshimi më shumë për Comon se për Napolin që gëzon një avantazh prej 8 pikësh me të në klasifikim, kur kanë mbetur edhe 4 javë nga fundi i kampionatit dhe kështu skuadra e Contes mund t’ia lejojë vetes luksin të humbasë pa e vënë në rrezik  arritjen e objektivit. Por Conte duhet të arrijë sa më shpejtë 2 objektivë; në radhë të parë kualifikimin për në eventin më të rëndësishëm futbollistik evropian dhe në radhë të dytë sigurimi i vendit të dytë, diçka shumë e rëndësishme për trajnerin salentin sic e dëshmon edhe fakti se skuadrat e tij ose fitojnë kampionatin ose të paktën pozicionohen në vendin e dytë.

Në ndeshjen me Comon, Napoli shkon me bateri të karikuara. Fitorja ndaj Cremoneses javën e kaluar e ka rilançuar skuadrën  jo vetëm në klasifikim por edhe në moral. Falë rikthimit të disa prej futbollistëve  nga dëmtimit, Conte ka ditur t’i japë më shumë ekuilibër skuadrës e sidomos arriti të gjejë modulin e lojës sulmuese që kanë lënë gjurmë. Kështu në Como do të jenë De Bruyne dhe Alisson ata që do të luajnë pas Hojlund ndërkohë që në krahë të mesfushës nga minuta e parë do të veprojnë Politano dhe Gutierrez. Në mbrojtje, Beukema është favorit ndaj Oliveras me Rrahmanin në qendër dhe Buongiornon në të majtë. Anguissa do ta nisë sërish nga stoli sepse përkrah Lobotkës do të luajë sërish McTominay, futbollisti më në formë i momentit. Një sukses do t’i garantonte 3 pikët Contes për kualifikimin në Champions, por do të detyronte gjithashtu Interin që të fitojë ndaj Parmës të dielën për të festuar titullin. Në rast të kundërt, zikaltërve do t’iu mjaftonte edhe një barazim për të festuar përpara tifozëve të tij në San Siro.

Top Channel