Alessandro Bastoni mbetet objektivi kryesor i Barcelonës për të përforcuar repartin e mbrojtjes. Në Spanjë thonë se mungon vetëm miratimi i Flick me trajnerin gjerman që po pret mbylljen e kampionatit dhe fitoren e titullit për t’u takuar me Drejtorin Sportiv Deco dhe për të nisur planifikimin e skuadrës për sezonin e ardhshëm e për të nisur ofensivën ndaj mbrojtësit të Interit.

Por, gjithnjë nga Spanja, vijnë të reja; sipas të përditshmes ‘Sport’, Barcelona ka gati alternativën e Bastonit për të cilin Interi kërkon të paktën 70 milionë euro dhe nuk ka ndërmend të përfshijë futbollistë në një operacion të mundshëm. 

Plani B quhet Cristian Romero, qendërmbrojtësi i Tottenham që ka një vlerë më të ulët në krahasim me Bastonin. Gjithnjë sipas ‘Sport’, Bastoni dhe Interi duken të shqetësuar ndaj një skenari të ri. Situata është kjo; mbrojtësi tundohet nga ideja për të lënë klubin zikaltër dhe Italinë për të nisur një aventurë të re, por nëse nuk do t’ia dalë të shkojë te Barcelona, ai do të rrijë te Interi deri në përfundim të kontratës në 2028. Nga ana tjetër, drejtuesit e Interit janë gati ta lejojnë largimin e futbollistit por vetëm në bazë të kushteve të përcaktuara, pra nuk ka ndërmend ta shesë lirë kartonin e tij.

‘Bastoni ka një kontratë me Interin dhe aktualisht nuk ka situata të tilla që të mendosh largimin e tij nga Interi-tha përpara disa javësh, Drejtori Sportiv i Interit, Piero Ausilio-Barcelona? Nuk e di se çfarë thonë në Spanjë, por ne jemi të kënaqur me atë që Bastoni ka dhënë te Interi dhe jemi të sigurt që do të japë akoma më shumë. Nëse dikush është i interesuar për të, të na telefonojë, i dinë numrat e telefonëve tanë’. Pra, Inter është në pritje të lëvizjeve të mundshme dhe ofertës së duhur.

Top Channel