Parashutistët zbresin në Gjirokastër, fluturime nga sportistë nga Italia dhe aktivitete që nxisin avioturizmin

01/05/2026 12:29

Gjirokastra po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të rëndësishëm të avioturizmit në Shqipëri.

Pas mbërritjes së avionit të parë të këtij sezoni me fluturim direkt nga Piza dhe pritjes së fluturimeve të tjera nga Bari, qyteti po mirëpret edhe aktivitete të veçanta që po tërheqin vëmendjen e turistëve të huaj.

Përgjatë datave 30 prill – 3 maj, Instituti Italian i Parashutizmit po zhvillon hedhje me parashutë në aerodromin e Gjirokastrës, në një iniciativë që synon diversifikimin e ofertës turistike dhe promovimin e vlerave kulturore e historike të qytetit përmes avioturizmit.

Mbi 40 parashutistë dhe staf mbështetës janë pjesë e këtij aktiviteti, ndërsa avioni ulet për herë të tetë në Gjirokastër, duke e kthyer gjithnjë e më shumë vëmendjen drejt turizmit ajror.

Pjesëmarrësit e huaj shprehen të entuziazmuar për këtë eksperiencë dhe për vetë qytetin. “Jemi shumë të lumtur që kemi ardhur në Shqipëri. Kemi ardhur një herë në vit dhe shpresojmë të vijmë dy herë brenda vitit. Gjirokastra është një qytet i mrekullueshëm që sigurisht u pëlqen shumë italianëve. Takojmë shumë prej tyre në qytet dhe na bëhet qejfi,” shprehet një prej pjesëmarrësve.

Ndërkohë, Antonela Bossio, e cila viziton për herë të tretë Gjirokastrën, tregon: “Është me të vërtetë një ngjarje shumë e bukur. Ka një panoramë të jashtëzakonshme, keni një qytet dhe kala të mrekullueshme. Është një mundësi shumë e mirë.”

Një tjetër pjesëmarrës thekson: “Është hera e katërt që vij në Gjirokastër. Është gjithmonë emocion të vish dhe të bësh një aktivitet që të pëlqen. Ndihemi shumë mirë këtu.”

Gjatë këtyre ditëve do të zhvillohen edhe aktivitete të tjera të lidhura me parashutizmin, ku mund të marrin pjesë edhe persona të interesuar, duke përjetuar nga afër emocionet e këtij sporti.

Top Channel