Fiks Fare/ “Veting për Sindikatat në Shqipëri”, kryesindikalistët shndërrohen në biznesmenë

01/05/2026 20:50

“1 Maji”, dita e ndërkombëtarëve e punëtorëve, protestë apo festë! Në Shqipëri, është festë zyrtare, pushim për administratën shtetërore. Ndërkohë, në gjithë botën, kjo datë përkon me tubime dhe protesta. Jo politike, por nga Sindikatat!

Po këto sindikatat tonë çfarë bëjnë? A bëjnë protesta, tubime, greva urie, reagojnë për ndodhi, vdekje në punë, largime të punonjësve nga puna, dhunime e mos dhënien e rrogave?

“Këto janë në vdekje klinike. Politika i ka afruar pas vetes. S’ka më frymë sindikalizmi”, thotë Fatmir Mërkoçi, një nga themeluesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë.

Fillimisht, pas viteve ’90 është themeluar BSPSH-ja. Aktualisht, në krye të saj është Gëzim Kalaja. Çuditërisht, ky kryesindikalist, është rreshtuar në krah të Partisë Demokratike. Madje, ai ka dekoruar Sali Berishën si “simbol i sindikalizmit në Shqipëri”.

Dekorimi u realizua në muajin maj të vitit 2013, para zgjedhjeve parlamentare. “Me motivacionin e krijimit të BSPSH-së i jap medaljen si ‘simbol i sindikalizmit’, kryeministrit Sali Berisha” do të deklaronte Kalaja.

“Kjo është hera e parë dhe jemi për rekord Ginnes që, një Sindikatë dekoron kryeministrin. Sindikatat duhet të jenë gjithmonë në oponencë me qeverinë”, thotë Mërkoçi.

Por, historia që fshihet pas këtij dekorimi lidhet me pronat e Sindikatave. Ja, për shembull, ish Kampi i Punëtorëve në Pogradec, është kthyer në biznes, që për koincidencë, quhet “Kalaja”, mbiemrin e kreut të sindikatave. Godina është në pronësi të Sindikatës së Minatorëve, ndërkohë që kohët e fundit është regjistruar edhe trualli prej 12.500 m2, me vlerë 131 milionë lekë.

“Këta i kanë përdorur pronat për interesin e tyre. I kanë regjistruar dhe u kanë vendosur emrat e tyre bizneseve”, vijon Mërkoçi. Sindikatat në këtë vendin tonë të vogël janë dy dhe çudia është se njëra është e djathtë dhe tjetra e majtë. A thua se janë parti politike! Ata thonë që mbahen nga kuotizacionet e punëtorëve. Por, ne nuk e dimë që sa paguajnë punëtorët me hallet e tyre.

“Nëse BSPSH-ja është me Partinë Demokratike, nga ana tjetër kemi Konfederatën, e rreshtuar në krah të qeverisë, të së majtës”, thotë Fatmir Mërkoçi. Konfederata e Sindikatave Shqiptare, me në krye Kol Nikollën, është krijuar si zgjatim i Bashkimit të Profesioneve Shqiptare, një lëvizje para viteve ’90. Sërish, edhe kjo Konfederatë trashëgoi prona në gjithë Shqipërinë.

Por, a janë zëri i punëtorëve? A funksionojnë ish-shtëpitë e pushimit të punëtorëve?

“Jo, vetëm mbrojnë dhe janë zgjatime të partive politike. Pas viteve ’90, politika e kuptoi forcën dhe i rreshtoi në krah, të dyja krahët e politikës”, shton Mërkoçi.

Fiks Fare nuk i akuzon se kanë vjedhur pronat, pasi ato ua ka dhuruar presidenti i atëhershëm për t’i menaxhuar! Por, menaxhimi i mëpasshëm ka sjellë tjetërsimin, shitjet, qiratë e gjata, degradimin e godinave, etj.

Por, kush duhet t’i kontrollojë dhe hetojë këto Sindikata?

Një nga themeluesit e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Fatmir Mërkoçi, thotë se duhet një Veting! “Duhet të hetohen nga Kontrolli i Lartë i Shtetit dhe nga prokuroria. Ka pasur kallëzime penale, por nuk dihet se çfarë është bërë. Pronat janë tjetërsuar, ata i kanë marrë në menaxhim, por i kanë keqmenaxhuar”, përfundon Mërkoçi.

Por, çfarë bëjnë këto Sindikata aktualisht? A mbrojnë punëtorët? Bëjnë protesta, greva apo kanë dalë në mbrojtje të punëtorëve? Dhe nëse bëjnë, si ua zgjidhin hallet, ca majtas e ca djathtas?

Fiks Fare shkoi te të dyja selitë e Sindikatave, për t’i pyetur nëse do të organizonin ndonjë protestë, tubim, grevë apo nëse kishin kërkesa për qeverinë, duke përfaqësuar plot 200 mijë punëtorë.

Fillimisht, shkojmë te godina e re e Konfederatës së Sindikatave. Intervistojmë sekretarin organizativ të KSSH-së, Hajdar Sinanin. E pyesim se çfarë proteste, tubimi apo organizimi do të realizojë në datën 1 Maj. Ai thotë se do të bëjnë një protestë, para kryeministrisë, dhe kanë konfirmuar se do të jenë disa qindra persona.

Grupi i Fiks Fare shkon edhe te selia e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, në godinat e ish-gjeologjisë në afërsi të Rrugës së Kavajës. Sami Kariqi, zv.Presidenti thotë se kanë në administrim 80 mijë punonjës. Fiksi e pyet nëse kanë kërkesa për qeverinë, do të bëjnë protestë, tubime apo grevë më datën 1 Maj, ndërsa ai shton se “ne organizojmë takim më datën 16 maj”. “Këtë datë e kemi si fitoren e sindikalizmit, pas përfundimit të grevës së minatorëve në Valias” pohon Kariqi.

Por, si e cilësojnë veten këto Sindikata, të majta apo të djathta?

Fiksi pyeti Presidentin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Gëzim Kalanë. Ai thotë se BSPSH-ja është e djathtë, është krijuar në të njëjtën ditë me PD-në dhe normalisht që ka përkatësi politike. Ai thotë se është me PD, i djathtë. Në lidhje me dekorimin e Berishës si “simbol i sindikalizmit” thotë se e meriton dhe nëse vjen sërish mundësia, do t’ia japë sërish.

Fiksi e pyet se si ia vuri emrin e hotelit në Pogradec, “Kalaja”, teksa thotë se s’është pronë e tij. Ai i thotë grupit të Fiks Fare se s’ka pronë, e kanë marrë trashëgimtarët. Por, dokumentet që ka hulumtuar redaksia e emisionit investigativ tregojnë të kundërtën, pasi në vitin 2025, Sindikata e Minatorëve, me në krye vetë Gëzim Kalanë, ka bërë rivlerësimin e asaj pasurie, të kthyer në bar, restorant dhe hotel, madje duke regjistruar edhe truallin në gjithë godinën.

Gjatë intervistës, Kalaja acarohet, ngrihet nga karrigia dhe përplas disa karrige të tjera. Ai i kërkon grupit të Fiks Fare se mbaroi intervista dhe u kërkon të largohen. Fiksi i thotë se, me këto përgjigje, s’është sindikalist, por duket si politikan dhe biznesmen.

Por nëse Gëzim Kalaja u cilësua si i djathtë, po Hajdar Sinani, sekretari organizativ i Konfederatës, si e cilëson sindikatën ku bën pjesë?!

“Ne jemi të majtë”, pohon Sinani, teksa tregon më së miri gjendjen e sindikatave në Shqipëri, forcën e tyre dhe mungesën e llogaridhënies, duke qenë se kanë nën administrim një mori pronash në të gjithë vendin, që i kanë shitur, tjetërsuar, shkatërruar e kthyer në biznes për veten dhe familjarët.

Të dy, ishin tepër nervozë! Fiks Fare nuk i akuzoi për vjedhje, por thjeshtë u kërkoi që të përcjellin zërin e punëtorëve që përfaqësojnë!

Top Channel