Qyteti i Bilishtit ka tashmë një hapësirë të re sportive në shërbim të të rinjve. Këtë të mërkurë është inauguruar zyrtarisht Akademia e Arteve Marciale, një nismë që synon të promovojë sportet luftarake dhe të krijojë mundësi të reja për aktivizimin e fëmijëve dhe të rinjve në aktivitete sportive.
Kjo akademi vjen si një përgjigje konkrete ndaj nevojës që kanë pasur të rinjtë e zonës për të praktikuar sporte të tilla, pa qenë të detyruar të udhëtojnë drejt qyteteve të tjera.
“Një mundësi e artë për qytetin e Bilishtit. U hap akademia e arteve marciale në këtë qytet, me mundësinë e kryetarit të bashkisë dhe bashkisë Devoll. Ua dha këtë mundësi të artë qytetarëve të saj, rinisë së saj për të praktikuar sportet marciale luftarake si taekëondo dhe boks. I mirëpresim që të gjithë, edhe fëmijët nga mosha 4 vjeç e sipër që të ushtrohen në akademinë e arteve marciale në Bilisht.
Dua të përmend edhe diçka tjetër, që shumë të rinj nga qyteti i Bilishtit vinin për tu stërvitur në akademinë që ndodhet në Korçë. Për ta ishte një surprizë shumë e madhe që u bëri kryetari dhe ne si akademi, që tashmë jemi në qytetin e tyre që ata ta kenë më të lehtë për tu stërvitur”, u shpreh trajneri i arteve marciale Dorian Potka.
Me këtë iniciativë, Bilishti i shtohet hartës së qyteteve që po investojnë në sport dhe në të ardhmen e brezit të ri, duke krijuar kushte më të mira për zhvillimin e talenteve dhe promovimin e një stili jetese aktiv.
Top Channel