Thirrjet për ndihmë vënë në alarm Gjirokastrën/ Mbeti i bllokuar në banesën e tij, policia ndërhyn për shpëtimin e 77-vjeçarit

29/04/2026 12:23

Përparim Zeneli, 78 vjeç, u gjet në banesën e tij duke kërkuar ndihmë pasi kishte rënë pranë tualetit, një situatë që nxjerr sërish në pah rrezikun me të cilin përballen personat që jetojnë vetëm.

Mësohet se ai jetonte i vetëm prej kohësh, pa një mbështetje të vazhdueshme nga familjarë apo të afërm. Raste të tilla nuk janë të izoluara, por përfaqësojnë një fenomen gjithnjë e më shqetësues në shoqëri, ku shumë të moshuar përballen me incidente në banesë, pa pasur mundësi të kërkojnë ndihmë në kohë.

Banorët e lagjes “Grancie” e dënojnë këtë fenomen dhe shprehen se raste të tilla kërkojnë më shumë vëmendje dhe reagim nga të gjithë.

Sipas tyre, është e domosdoshme që personat që jetojnë vetëm të mos lihen në harresë, por të mbështeten dhe të monitorohen për të shmangur situata të rrezikshme.

Ngjarja rikthen në vëmendje nevojën për më shumë kujdes dhe solidaritet, si nga institucionet ashtu edhe nga komuniteti, për të parandaluar raste që mund të kenë pasoja edhe më të rënda.

 

Top Channel