Marrëveshja për sigurimet shoqërore për shqiptarët jashtë vendit, Shqipëria firmos me Poloninë
Sot në Gjykatën e Posaçme të Apelit do të mbahet seanca ku do të shqyrtohet kërkesa e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj mbi shfuqizimin e një vendimi të Shkallës së Parë për pezullimin e afateve të paraburgimit.
Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, avokati i kryebashkiakut, Plarent Ndreca sapo është paraqitur në gjykatë.
Pothuajse në të njëjtën fashë kohore kur kishte seancën për klientin e tij kryebashkiakun Erjon Veliaj, Plarent Ndreca kishte edhe gjykimin e tij.
Siç raporton gazetarja e Top Channel Anila Hoxha, Ndreca ka zgjedhur të përfaqësojë Erjon Veliajn dhe ndaj çështja ku ai është marrë i pandehur për “Shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera” në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Brendshme, u shty pasi ai u paraqit në Apelin e Posaçëm si mbrojtës i zgjedhur nga kryebashkiaku socialist i Tiranës.
Teksa në seancë nuk ishte i pranishëm as avokati i Ndrecës, Ermal Yzeiraj, seanca u shty për në datën 19 maj, ora 9.00.
Ish- ligjvënësi socialist akuzohet për periudhën 2019 – 2020, kur Ndreca në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë, dyshohet se ka përfituar nga tenderi i rikonstruksionit të katër komisariateve në vend.
Ai u kallëzua nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, që pas auditimit të bërë, konstatoi fryrje të kostos reale të prokurimit publik, që përfshinte komisariatin e Mirëditës, komisariatin, nr 4 të kryeqytetit, atë të Vlorës e Pogradecit.
Pas përfundimit të seancës, Ndreca dha një prononcim për gazetarët, ku u pyet nëse Veliaj do të vazhdojë të kërkojë që në seancë të mos jetë ne kafazin e xhamtë. “Do kërkojmë çdo të drejtë që na takon nga parashikimet kushtetuese dhe nuk do ndalemi”, u shpreh ai.
Në lidhje me gjykimin ndaj tij, Plarent Ndreca tha se ka caktuar avokat. “Kam caktuar avokat për gjykimin tim”, tha ndër të tjera ai.
Top Channel