Shiste kokainë dhe cannabis në qytet, arrestohet në flagrancë 36-vjeçari në Dhërmi

28/04/2026 11:47

Një 36-vjeçar është arrestuar në Dhërmi pasi është kapur në flagrancë duke shitur kokainë dhe cannabis.

Blutë bëjnë me dije se shtetasit E. P., 36 vjeç, gjatë kontrollit në makinën e tij iu gjet një sasi cannabis sativa e gatshme për shitje, ndërsa në banesën e tij në fshatin Drimadhë iu gjetën 450 gr cannabis dhe një sasi kokaine e gatshme për shitje.

Njoftimi i policisë:

Vlorë/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.

Goditet një tjetër rast i shitjes së lëndëve narkotike, në zonat turistike.

Kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 36-vjeçari që shiste Kokainë dhe Cannabis, në Dhërmi.

Sekuestrohen sasi Kokaine dhe Cannabisi, automjeti që përdorte 36-vjeçari për këtë veprimtari kriminale dhe celulari i tij.

Specialistët për Hetimin e Narkotikëve të DVP Vlorë, në vijim të kontrolleve të shtuara për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë goditur një rast të shitjes së lëndëve narkotike në fshatin Dhërmi.

Për këtë rast u arrestua shtetasi E. P., 36 vjeç, banues në Lushnjë.

Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në fshatin Dhërmi, automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin E. P. Gjatë kontrollit fizik ndaj tij dhe kontrollit në automjet, u gjet sasi lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, e gatshme për shitje.

Në vijim, gjatë kontrollit në ambientin ku banonte ky shtetas, në fshatin Drimadhë, u gjetën rreth 450 gramë lëndë e dyshuar narkotike Cannabis Sativa dhe një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë, të ndara në doza, gati për shitje.

Lënda narkotike u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, bashkë me automjetin dhe celularin e këtij shtetasi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Top Channel