Protestë për mungesën e dritave në Elbasan, 300 banorë ankohen se janë pa energji dhe ujë, bizneset në rrezik

28/04/2026 15:57

Banorët e lagjes Skënderbej në Elbasan kanë protestuar për mungesën e energjisë elektrike tashmë prej disa ditësh.

Pa energji elektrike dhe, si pasojë, edhe pa furnizim të rregullt me ujë, rreth 300 banorë janë detyruar të përballen me kushte minimale jetese dhe me probleme të shumta. Goditje ka marrë edhe biznesi i vogël në zonë.

Pronarët e dyqaneve ushqimore tregojnë se frigoriferët qëndrojnë të fikur për orë të tëra, duke rrezikuar prishjen e produkteve dhe humbje të konsiderueshme ekonomike.

Nga ana tjetër, Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike në Elbasan sqaron se ndërprerja e energjisë lidhet me stakimin e fidrit nr. 7 në nënstacionin “Kombinati i Drurit”, si pjesë e punimeve për ndërtimin e linjës së interkoneksionit Bitola–Elbasan–Fier, një projekt i cilësuar strategjik për zgjerimin e rrjetit energjetik të Shqipërisë.

Sipas OSSH, po merren masa që zona të furnizohet përmes kabinave alternative, ndërsa ndërprerjet në vijim pritet të jenë të përkohshme dhe të kufizuara vetëm gjatë manovrimeve teknike.

Top Channel