Fiks Fare/ Fabrika e asfaltit ndot dhe ‘helmon’ lagjen në Kamëz, firma justifikohet se ka bërë vetëmonitorim

28/04/2026 20:50

Fiks Fare denoncoi një fabrikë asfalti në rrugën “Argjinatura” në Kamëz, e cila ndot dhe helmon një lagje të tërë, teksa kompania private justifikohet se kemi bërë vetëmonitorim, ndërkohë që pushteti lokal justifikohet se lejet i ka dhënë ministria.

Në redaksinë e emisionit investigativ u ankuan banorë të zonës, që ankohen se firma “KUPA”, e cila ka një fabrikë në atë zonë që prodhon beton, ndot ambientin. Kamera e Fiksit filmoi ndotjen dhe fabrikën, e cila lëshonte tym jo vetëm nga oxhaku, por edhe nga pjesë të tjera.

Dy familje në atë zonë tregojnë për Fiksin se iu është bërë jeta e vështirë, ka pluhur dhe erë të rëndë, gjendja është alarmante. “Tani na ngelet që të marrim armët, se me ta s’merremi dot vesh. Nuk kanë as filtra dhe asnjë gjë. I gjithë pluhuri vjen në banesat tona. Unë jam i operuar nga zemra dhe si mund të jetoj këtu” tregon njëri prej tyre, duke treguar edhe shenjën në kraharor të operacionit.

Ndërkohë na tregojnë ambientet e shtëpisë, të makinës të mbuluara nga pluhuri. “Na vijmë fëmijët, qëndrojnë 1 ditë dhe ikin. Nuk jetojnë dot këtu. Atë fabrikën e ka firma PEPA, por ata s’duan t’ia dinë që të marrin masa. Na thonë sot e nesër dhe asnjë gjë. Jemi ankuar edhe te Bashkia e Kamzës, ka ardhur policia bashkiake dhe na thanë se do marrin masa. Deri tani asnjë gjë” pohojnë ata.

Njëri prej tyre telefonon një përgjegjës të Policisë Bashkiake në Kamzë, e cila i thotë se “lejet i japin ata të ministrisë”. Ajo pranon se ka qenë në zonë para 1 muaji, por i ka “duart e lidhura” nga dokumentet, pavarësisht se e gjithë lagja mbulohet nga tymi.

Pas këtyre ankesave, grupi i Fiks Fare shkon te fabrika e asfaltit e firmës Kupa, ku filmojnë momentin e ndotjes dhe punës. Nga pamjet duket mjaft qartë se fabrika nxjerr nga të gjitha anët tym dhe jo vetëm nga oxhaku. “Nxjerr se ka materialin e njomë” thotë një punonjës, teksa telefonon edhe djalin e pronarit.

Gazetarët bisedojnë në telefon me z. Arjan Kupa, djalin e pronarit, i cili i thotë se era e asfaltit vjen nga kantieret dhe rrugët që ata po bëjnë aty në lagje dhe jo nga fabrika e asfaltit. Më pas, Fiksi i dërgon një video ku fabrika nxjerr tym nga të gjitha anët dhe pas disa minutash ai vjen në kantier.

Në bisedën paraprake, ai pranoi se materialet shkaktojnë ndotje, ndërsa ka porositur filtra dhe do t’i vijnë. Ai e pranoi fillimisht se një pjesë e fabrikës së asfaltit nuk ka filtra dhe do rregulluar, ndërkohë më vonë e mohoi, duke thënë se “ka leje mjedisore dhe kemi bërë vetëmonitorim”.

Grupi i Fiks Fare shkon në Bashkinë e Kamzës, ku intervistojnë nënkryetarin e Bashkisë. Nënkryetari tha se s’ka pasur dijeni për problematikën në fjalë, ndërkohë që vetë Policia Bashkiake kishte shkuar në atë kantier para 1 muaji dhe s’kishte marrë masa. Pas dërgimit të informacionit nga Fiksi, Bashkia e Kamzës tha se do të nisë një grup inspektimi.

Top Channel