Mbi gjysmë milioni turistë në mars/ Rriten me 10.8% numri i të huajve, konfliktet po zhvendosin turistët drejt Shqipërisë Rritja e çmimeve të pronave me ritme të larta ka vijuar edhe në gjashtëmujorin e dytë të vitit që lamë pas. Indeksi Fischer i Bankës së Shqipërisë që përllogarit çmimin mesatar të banesave të shitura vë në dukje se pronat u shtrenjtuan në këtë periudhë me 28% në rang kombëtar krahasuar me vitin 2024.
Banka e Shqipërisë vlerëson se kontributi kryesor në rritjen e çmimeve e ka nxitur zonat e bregdetit ndërsa kryeqyteti ka shfaqur një ngadalësim të ndjeshëm.
“Vlera e indeksit për Tiranën tregoi ndryshime të lehta dhe kontributin kryesor në rritjen e indeksit e ka dhënë ecuria e çmimeve në bregdet”, tha Banka e Shqipërisë.
Kjo rritje është mbështetur jo vetëm nga kërkesa vendase, por edhe nga blerjet e jorezidentëve, që sipas vrojtimit përbëjnë rreth 25 për qind të shitjeve, nga 15 për qind një periudhë më parë.
Ndërkohë, numri i pronave të pashitura ka rënë dhe koha mesatare e shitjes është shkurtuar, thuhet në raport, sinjal që tregu po absorbon më shpejt ofertën.
“Koha mesatare e shitjes së banesave në rang vendi ra në 9.1 muaj nga 11.6 muaj në vrojtimin e mëparshëm. Në rastin e Tiranës, koha mesatare e shitjes u ul ndjeshëm në 8.1 nga 11.1 muaj. Koha mesatare për shitjet në zonat bregdetare u rrit në 9.9 nga 8.7 muaj, ndërsa për zonat e tjera kohëzgjatja e shitjes rezultoi më e ulët sesa në gjashtëmujorin e kaluar, duke rënë në 10.1 nga 12.8 muaj”, tha Banka e Shqipërisë.
Një rol të rëndësishëm ka luajtur kredia bankare. Blerja e pronave vijon të financohet kryesisht me kredi, me huatë për banesa që janë shtytësi kryesor i rritjes së kredisë për individët. Vetëm teprica e kredisë për blerje banese arriti 240 miliardë lekë, 17 për qind më shumë se një vit më parë.
Edhe pse bankat kanë raportuar standarde më të shtrënguara kreditimi, shkalla e miratimit të kredive për banesa është rritur.
Top Channel