Në bujqësi prej 30 vitesh, traktoristi nga Kukësi trashëgon traditën për të punuar tokën

26/04/2026 13:32

Në verilindje të Shqipërisë, në Kukës, dita për Haki Elezin nis herët, mes zhurmës së traktorëve dhe punës në arw. Prej 30 vitesh, ai merret me bujqësi, duke punuar jo vetëm arat e tij, por edhe të dhjetëra familjeve në zonë.

Plugimi, frezimi, lidhja e dengave të barit dhe transporti janë pjesë e përditshmërisë së tij. “Kam tre zetorë dhe me ta punoj gjithë zonën”, shprehet ai.

Me këtë punë, ai ka siguruar të vetmet të ardhura për familjen, duke rritur tre djem. Dy prej tyre kanë ndjekur të njëjtin zanat, ndërsa i treti vijon studimet. Por, përtej përkushtimit, sfidat mbeten të mëdha.

Në më shumë se tri dekada punë, Hakiu ka përfituar mbështetje vetëm dy herë, në vitet e largëta 2002 dhe 2007. “Mungesa e dokumenteve të tokës dhe burokracitë na kanë lënë jashtë çdo skeme”, deklaron ai.

Sot, çdo investim në punën e tij është bërë me të ardhurat e familjes. Megjithatë, ai vijon çdo ditë të punojë tokën, duke mbajtur gjallë jo vetëm familjen, por edhe një traditë që po trashëgohet.

Top Channel