Zhvendosja e disa shërbimeve drejt njësisë Administrative të Levanit, banorët e Cakranit të revoltuar: Rëndon jetën e përditshme

25/04/2026 12:56

Dhjetëra banorë të njësisë administrative Cakran, Fier u mblodhën paraditen e sotme në qendër të qytetit për të kundërshtuar vendimin e qeverisë për zhvendosjen e disa shërbimeve drejt njësisë Administrative së Levanit.

Të revoltuar, qytetarët shprehen se ky vendim rëndon jetën e përditshme, sidomos për të moshuarit, të cilët e kanë të pamundur të udhëtojnë rreth 27 kilometra për të marrë shërbimet bazë.

Sipas tyre, një pjesë e madhe nuk kanë as mundësi dhe as njohuri për të përdorur shërbimet online apo aplikacionet në telefonat inteligjentë.

Banorët theksojnë se Cakrani është një zonë me histori dhe identitet të fortë, e përbërë nga 13 fshatra dhe me rreth 17 mijë banorë. Ata e konsiderojnë të pajustifikuar bashkimin e shërbimeve me Levanin, duke kërkuar rishikimin e menjëhershëm të vendimit.

Është e papranueshme që një komunitet kaq i madh të mbetet pa shërbime pranë. Kjo është një goditje direkte për banorët, sidomos për më të pambrojturit,” u shprehën protestuesit.

Banorët paralajmërojnë se do të vijojnë reagimet e tyre nëse institucionet nuk marrin masa për të adresuar këtë problem.

Top Channel