U dëmtua nga tërmeti, rikosntrukturohet shkolla “Mersin Duqi” në Bërzhitë, Ristani: Gati të rihapë dyert në shtator

23/04/2026 10:51

Shkolla “Mersin Duqi” e dëmtuar gjatë tërmetit, që ndodhet në Ibë të Poshtme në Njësinë Administrative Bërzhitë, do të mirëpresë nxënësit në fillim të vitit të ri shkollor. Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani, inspektoi nga afër punimet duke theksuar se ambientet e rikonstruktuara do të ofrojnë mjedise të sigurta dhe të denja për një arsimim cilësor.

“Ndodhemi në Ibë, ku përveçse një hapësire të bukur që edhe qytetarët e Tiranës e shijojnë në fundjavë, është edhe një vend ku ka shumë nxënës nuk kishin një shkollë të tyre në nivelin e standardeve të qytetit edhe përpara tërmetit. Por, me rastin e tërmetit ajo që ka dalë nga investimi i rindërtimit të shkollës së vjetër është një hapësirë moderne me ajër të kondicionuar, me palestër moderne, me të gjitha lehtësirat, laboratorët, hapësirat cilësore, klasat plot me dritë, por edhe hapësirat rekreative për nxënësit, qofshin ata të shkollës 9-vjeçare apo të shkollës së mesme, pasi kjo është një shkollë e mesme e bashkuar”, deklaroi Anuela Ristani.

Më tej, Kryetarja e komanduar e Bashkisë së Tiranës bëri të ditur se punimet në këtë objekt do të përfundojnë përpara fillimit të vitit të ri arsimor, ndërsa shtoi se po shqyrtohet edhe mundësia për shtimin e shërbimeve parashkollore në zonë.

“Shkolla do të jetë e gatshme dhe patjetër me fillimin e vitit shkollor do të nisin të gjithë me shpresën që do të rritet edhe numri i nxënësve që do ta frekuentojnë, duke parë gjithashtu dhe mundësinë për të shtuar në zonë edhe shërbimet parashkollore, kopshte apo çerdhe”, përfundoi Rsitani.

Shkolla e Mesme e Bashkuar “Mersin Duqi” është rindërtuar plotësisht duke rritur ndjeshëm kapacitetin e saj nga rreth 185 në 390 nxënës. Ndërtesa është projektuar me standarde të larta sigurie dhe aksesueshmërie, duke përfshirë dalje emergjence, sistem mbrojtjeje nga zjarri dhe lehtësi për personat me aftësi të kufizuara. Ky investim është një hap i rëndësishëm në përmirësimin e infrastrukturës arsimore dhe rritjen e cilësisë së arsimit në zonë.

Top Channel