Prokurorja europiane shpërthen në Delphi: OPEKEPE simbol i korrupsionit, tensione me politikën greke

23/04/2026 15:14

Një nga figurat më të komentuara në Greqi nw muajt e fundit, kryeprokurorja e Bashkimit Evropian, Laura Kövesi, ishte në qendër të vëmendjes në Forumin Ekonomik të Delfit, ku foli hapur për korrupsionin, drejtësinë dhe sidomos për skandalin e OPEKEPE, që ka tronditur qeverinë konservatore me dorëheqje ministrash dhe heqje tw imunitetit të 13 deputetëve të saj.

Kövesi nuk kurseu fjalët as sot në mëngjes . Ajo deklaroi se ishte e tronditur nga mënyra se si funksionon sistemi në disa raste në Greqi: “Nëse bën një shkelje dhe vjedh para, i kthen dhe je i lirë”. Për të, kjo është e papranueshme dhe bie ndesh me mënyrën evropiane të zbatimit të ligjit. Ajo theksoi se Zyra e Prokurorisë Publike Europiane synon një standard të përbashkët për të gjitha vendet dhe kush është pjesë e këtij mekanizmi duhet të përshtatet.

Një nga deklaratat më të forta ishte refuzimi i saj ndaj justifikimit të zakonshëm: “Kështu bëhen gjërat në Greqi”. Ajo tha se nuk e beson këtë, duke sjellë shembullin e një letre nga një fermere greke që nuk kishte marrë subvencione, sepse nuk kishte lidhje politike, ndërsa të tjerë përfitonin dhe bënin jetë luksoze. Sipas saj, kjo tregon se qytetarët nuk e pranojnë korrupsionin si normalitet.

Për skandalin e keqmenaxhimit të subvencioneve bujqësore nga organizmi shtetëror grek OPEKEPE, ajo ishte edhe më e drejtpërdrejtë, e quajti organizmin sinonim të korrupsionit, nepotizmit dhe klientelizmit.

Nënvizoi se veprat që përshkruhen në dosje janë krime në çdo vend të BE-së dhe se askush nuk mund ta justifikojë korrupsionin si pjesë të punës politike. Qëllimi, sipas saj, është që hetimi të përfundojë sa më shpejt, megjithëse përballet me kufizime serioze, si mungesa e personelit dhe volumi i madh i dokumenteve.

Ajo sqaroi gjithashtu se heqja e imunitetit për deputetët nuk nënkupton fajësi, por është një hap i domosdoshëm për të vazhduar hetimet. Pa këtë procedurë, nuk mund të hetohen figura politike apo të mblidhen prova. Kundër akuzave për “ndjekje politike”, ajo u përgjigj prerë se zyra e saj vepron vetëm mbi bazë ligjore dhe jo politike.

Kövesi ngriti edhe çështjen e kufizimeve institucionale në Greqi, sidomos kur bëhet fjalë për ministra aktualë apo të mëparshëm, duke theksuar se në disa raste nuk mund të vazhdojnë procedurat për shkak të kuadrit ligjor ekzistues. Ajo foli edhe për vështirësitë praktike: “Vetëm një oficer policie dhe dy prokurorë që duhet të përballojnë një hetim kaq të madh”.

Një theks i veçantë iu dha pavarësisë së institucionit që ajo drejton. Sipas saj, kjo është “vijë e kuqe” dhe nuk mund të preket. Ajo kërkoi që t’i lihet hapësira për të bërë punën, duke shprehur besim se autoritetet greke do të veprojnë siç duhet.

Me një ton ironik, kur u pyet në se ka edhe raste të tjera të mundshme korrupsioni në Greqi, ajo tha se do të duhet të pyesë “Orakullin e Delfit” për përgjigje. Në të njëjtën kohë, e cilësoi Prokurorinë Evropiane një sukses të madh, pasi për herë të parë ekziston një institucion që ka ndikim të drejtpërdrejtë në jetën e qytetarëve dhe që ndërton besim përmes denoncimeve që merr.

Në fund, ajo kujtoi një të vërtetë të thjeshtë: Nuk ka vende “të pastra”, korrupsioni ekziston kudo, por fshehja e tij nuk e zhduk problemin.

Megjithatë, kjo ndërhyrje e fortë e Kövesi-t nuk ka kaluar pa reagime në Greqi. Ajo është vënë në shënjestër nga disa deputetë të Demokracisë së Re. Ata e kanë kritikuar ashpër qasjen e saj, ndërsa nuk kanë munguar as sulme personale dhe deri në komente raciste që e lidhin me figurën e Nicolae Ceaușescut, duke e zhvendosur debatin nga thelbi i akuzave për korrupsion drejt sulmeve politike dhe personale.

Top Channel