E paprecedentë në Serbi, dalin pamjet e dhunës ndaj atyre që kritikojnë publikisht qeverinë dhe kryeministrin Vuçiç
Në një investigim të BBC zbulohet se kokaina, kanabisi, gazi për të qeshur dhe pilulat me recetë po ofrohen për shitje në mini-markete në rrugët kryesore të Mbretërisë së Bashkuar.
Ato iu ofruan me lehtësi agjentëve të fshehtë, të cilët filmuan fshehurazi në dyqane në katër qytete fqinje të West Midlands.
Vetëm pak kilometra larg, në një qytet u gjet drogë që shitej në dyqane. Bizneset e ligjshme thanë se ishin frikësuar nga bandat dhe kishin qenë dëshmitarë të dhunës me thika dhe me armë zjarri.
Në të gjithë vendin, vitrinat e dyqaneve po shfrytëzohen nga bandat e krimit të organizuar që kanë fituar terren duke shitur lëndë të paligjshme, thonë si Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), ashtu edhe Instituti i Standardeve Tregtare të Çarteruara (CTSI).
BBC analizoi dhjetëra raportime të fundit të lajmeve lokale si pjesë e hetimit të vazhdueshëm mbi aktivitetin kriminal në rrugët kryesore të Mbretërisë së Bashkuar. Nga Bideford në Devon, në Great Yarmouth në Norfolk, në Belfast në Irlandën e Veriut, u zbulua se drogëra, përfshirë metamfetaminë kristalore dhe heroinë, ishin gjetur në më shumë se 70 dyqane dhe lokale.

Qeveria po punon me policinë, NCA-në dhe Standardet Tregtare për të “ndërmarrë veprimet më të forta të mundshme kundër këtyre bizneseve kriminale”, tha një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme. Policia e West Midlands tha se do të bashkëpunojë gjithmonë me partnerët “për të vepruar mbi ankesat në lidhje me shitjet e paligjshme të drogës, sjelljen antisociale dhe krimin”.
Katër pako të vogla transparente që përmbajnë kanabis dhe kokainë janë shfaqur në pëllëmbën e hapur të dorës së një burri. Një nga agjentët e fshehtë arriti të blinte kokainë dhe kanabis nga një dyqan në Cradley Heath.
“Kam marihuanë, kokainë, gjithçka. Çfarëdo që të duash, mund të të zgjidh punë”, tha një burrë pas banakut në një minimarket në Cradley Heath. Kur u pyet, burrit pas banakut të dyqanit, të quajtur Cradley Market, iu deshën vetëm disa sekonda për t’i furnizuar agjentët me 3.5 g kanabis për 30 paundë.
Studiuesi ynë arriti të blinte kanabis nga dyqani në dy vizita të ndara. Teksa kalonte raftet e pijeve të gazuara, ëmbëlsirave dhe pelenave, ai u çua në pjesën e prapme të dyqanit dhe burri, i cili tha se quhej Akwa, i dha një qese të vogël me kanabis nga një çantë shpine.

Kur agjenti pyeti nëse mund të blinte kokainë, Akwa menjëherë telefonoi për të marrë pak. Disa orë më vonë, një gram kokainë u soll në dyqan, që Akwa e shiti për 95 paund.
Akwa i tregoi agjentëve në telefonin e tij një koleksion fotografish të barnave me recetë që ishin në shitje, duke e ftuar studiuesin tonë të bënte fotografi në rast se njihte ndonjë që mund të ishte i interesuar.
Oferta përfshinte pregabalinën, një ilaç me recetë që përdoret për të trajtuar ankthin, dhimbjet nervore dhe epilepsinë. Keqpërdorimi i tij është lidhur me një rritje të ndjeshme të vdekjeve.
Gjatë qëndrimit në lagje, agjentët vunë re të ashtuquajturit “vëzhgues” jashtë minimarketeve, të cilët, siç na thanë, ishin në kërkim të bastisjeve të mundshme nga forcat e rendit. Ekipi i BBC u ndoq dhe u fotografua gjithashtu nga punonjësit e minimarketeve në Dudley High Street.
Një drogë e klasit C e njohur zakonisht si gaz qeshës, oksidi i azotit mund të shkaktojë dëmtime në tru kur thithet. Përdoret ligjërisht në industrinë e ushqimit dhe në sektorë të tjerë, por është e paligjshme ta zotërosh ose ta furnizosh me qëllim thithjen e tij për përdorim rekreativ.
BBC zbulon raportime për fëmijë deri në 11 vjeç të abuzuar në mini-marketet e West Midlands. Rrjeti kriminal që fshihet pas mini-marketeve në Mbretërinë e Bashkuar u mundëson emigrantëve të punojnë ilegalisht.
“Njerëzit kanë frikë të vijnë këtu”, thotë shtetasi rumun Marius Boros, i cili u zhvendos në Mbretërinë e Bashkuar 13 vjet më parë dhe tani drejton një dyqan ushqimesh në Dudley High Street. “Ka shumë sherre, thika, armë jashtë”, thotë ai.
Mini-marketet që shesin mallra të paligjshme me çmime të ulëta, përfshirë drogën, po ia shkatërrojnë biznesin, thotë Boros. “Punoj shumë, gjithçka që kisha, e kam investuar këtu… Jam shumë pranë humbjes së gjithçkaje”.
Ndërkohë, pronarja e sallonit të flokëve, Diane Shaëe, beson se kriminelët vendas po përpiqen ta nxjerrin jashtë. Vitrinat e dyqanit të saj janë thyer katër herë, thotë ajo, çdo herë në mes të natës.

Pamjet e kamerave të sigurisë treguan se si burra me bluza me kapuç hodhën tulla në vitrinat e dyqanit të saj në orët e para të mëngjesit, pak pasi xhamat ishin zëvendësuar.
“Ata e duan dyqanin. Do ta bëjnë të shtrenjtë për mua derisa të arrijnë qëllimin e tyre”, thotë Shaëe, klientët e të cilës përfshijnë njerëz me kancer dhe alopeci.
Pas njërit prej sulmeve, shpjegon ajo, dy burra telefonuan në dyqan dhe u përpoqën ta frikësonin, duke thënë se donin që lokali të hapej për të hapur një berberhane. “Një djalë më pyeti, a jam gati të shes tani”, tha ajo.
Top Channel