Andoni Iraola është shndërruar në një nga kandidatët kryesorë për të marrë drejtimin e Chelseat pas shkarkimit të Liam Rosenior.

Rosenior u shkarkua nga “Blutë” e Londrës të mërkurën, vetëm tre muaj pas emërimit të tij në janar, kohë kur nënshkroi një kontratë gjashtëvjeçare e gjysmë. Largimi i tij i jep fund një periudhe të errët në “Stamford Bridge”, ku tekniku humbi shtatë nga tetë ndeshjet e fundit në krye të skuadrës.

Pasi zëvendësoi Enzo Marescën në fillim të vitit, Chelsea është sërish në kërkim të një emri të ri për të udhëhequr projektin e klubit. Calum McFarlane do të marrë drejtimin e përkohshëm deri në fund të sezonit, përpara se pronarët e “BlueCo” të vendosin gjatë verës për emërimin e tyre të pestë të përhershëm që prej vitit 2022.

Burime për mediat angleze bëjnë me dije se trajneri në largim i Bournemouth-it, Andoni Iraola, është preferenca kryesore për të marrë frenat e ekipit. Spanjolli do të jetë i disponueshëm si agjent i lirë sapo kontrata e tij të skadojë në fund të sezonit dhe vlerësohet lart nga bashkëpronari i klubit, Behdad Eghbali.

Iraola është një emër mjaft i kërkuar, pasi e dërgoi Bournemouth-in në prag të kualifikimit në Europë për herë të parë në histori, duke regjistruar edhe një ecuri rekord ndeshjesh pa humbje në Premier League. Mësohet se ai ka refuzuar tashmë propozimet e Crystal Palace, të cilët po kërkojnë pasardhësin e Oliver Glasner-it.

Opsionet e tjera

Në rast se marrëveshja me Iraolën nuk konkretizohet, drejtuesit e Chelseat po monitorojnë me interes edhe trajnerin e Newcastle-it, Eddie Howe, i cili gëzon simpati të madhe në radhët e bordit drejtues të klubit londinez.

Top Channel