AARC takim në Departamentin amerikan të Shtetit: Fryma e Ohrit në rrezik, shqiptarët përballen me tolerim në vend të barazisë

22/04/2026 18:04

Në një takim në Departamentin e Shtetit të SHBA-së, udhëheqja e Këshillit Shqiptaro-Amerikan për Marrëdhënie (Albanian American Relations Council – AARC) ngriti shqetësime serioze për gjendjen kritike në Maqedoninë e Veriut gjatë bisedimeve me zyrtarin David M. Maher, përgjegjës për çështjet e këtij vendi në administratën amerikane.

Takimi u zhvillua në një moment tensioni të rritur, ndërsa protestat e studentëve të drejtësisë kanë nxjerrë në pah një krizë shumë më të thellë se sa duket në sipërfaqe: erozionin e vazhdueshëm të të drejtave gjuhësore të shqiptarëve dhe cenimin sistematik të frymës së Marrëveshjes së Ohrit.

AARC paralajmëroi se debati publik në Shkup po mbahet qëllimisht i burgosur në labirinte teknike dhe semantike – dispozitat e ligjit të gjuhëve, opinionet e Komisionit të Venecias, mekanizmi i Balancuesit, çështjet e zbatimit dhe propozimet për ndryshime legjislative – ndërkohë që çështja thelbësore po shmanget me vetëdije nga strukturat politike maqedonase.

“Marrëveshja e Ohrit nuk ishte thjesht një dokument juridik – ajo përfaqësoi një pajtim historik midis dy popujve që vendosën të ndërtonin një shtet të përbashkët si bashkëthemelues të barabartë,” nënvizoi AARC. “Sot, ajo frymë është nën sulm të drejtpërdrejtë”.

Këshilli ngriti me forcë pyetjen që, sipas tij, Shkupi po përpiqet ta fshehë pas mjegullës juridike:

A janë shqiptarët bashkëthemelues të barabartë në vendin e tyre, apo një popull që thjesht duhet toleruar?

Për AARC-në, përgjigjja ndaj kësaj pyetjeje nuk është çështje akademike – është testi përfundimtar për të ardhmen e Maqedonisë së Veriut. Tendencat e fundit, nga rezistenca institucionale ndaj zbatimit të ligjit të gjuhëve, e deri te retorika gjithnjë e më e ashpër antishqiptare, tregojnë se ky test po dështohet.

“Nëse fryma e Ohrit zëvendësohet nga logjika e tolerimit, atëherë vendi po largohet nga trajektorja e tij euroatlantike, jo drejt saj,” theksuan përfaqësuesit e AARC-së. “Gjithçka tjetër është semantikë.”

Takimi në Departamentin e Shtetit vjen në një kohë kur Uashingtoni pritet të rrisë vëmendjen ndaj Ballkanit Perëndimor, dhe kur shqiptarët e Maqedonisë së Veriut po kërkojnë garanci konkrete – jo premtime – se statusi i tyre si bashkëthemelues të shtetit nuk do të jetë më çështje negociatash politike në Shkup.

Top Channel