Kriza e naftës, Gjermania mbledh Këshillin e Sigurisë Kombëtare: Gati të ndërhyjmë

21/04/2026 14:25

Situata e naftës në Gjermani është kaq delikate dhe strategjike, sa kancelari Friedrich Merz dëshiron të mbledhë “së shpejti” Këshillin e Sigurisë Kombëtare për konsultime mbi krizën energjetike.

Lajmin e bëri të ditur ai vetë, pa dhënë detaje të mëtejshme. “Qëllimi ynë është i qartë: ekonomia gjermane dhe qytetarët duhet të jenë të sigurt se furnizimi me produkte të domosdoshme, siç janë nafta, benzina dhe karburanti për avionë, do të mbetet i garantuar”, deklaroi Merz më herët në Hannover.

Aktualisht gjendja paraqitet e “tensionuar”, por furnizimi është i siguruar. Në rast se situata përkeqësohet, atëherë ne jemi të gatshëm të ndërhyjmë, citohet të ketë thënë ai. Çmimet e karburantit për avionët në Europë janë më shumë se dyfishuar që nga momenti kur SHBA-ja dhe Izraeli nisën luftën kundër Iranit më 28 shkurt.

Teherani reagoi duke bllokuar shumicën e transportit detar në Gjirin e Hormuzit, nga ku kalon një e pesta e naftës globale. Që prej marrjes së detyrës, Merz e kishte kërkuar vetëm një herë mbledhjen e Këshillit në fjalë, në muajin nëntor për të miratuar një plan veprimi kundër kërcënimeve hibride, kryesisht nga Rusia. “Për ne është e qartë: siguria e furnizimeve ka prioritet maksimal për Gjermaninë”, deklaroi ai, teksa theksoi se për të garantuar stabilitetin do të përdoren “të gjitha mjetet e disponueshme”.

Çmimi i karburantit është rritur ndjeshëm në Gjermani, si edhe në vende të tjera, duke e detyruar qeverinë të ndërhyjë, e për momentin po diskutohet mundësia e uljes së akcizave.

 

 

Top Channel