Firmoset memorandumi për Shëndetin Publik, ministrja Sala: Nuk jemi vetëm reagues, por kontribues në zgjidhje

21/04/2026 16:33

Shqipëria dhe Italia hedhin një hap të ri në forcimin e bashkëpunimit në shëndetin publik, përmes nënshkrimit të Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Institutit të Shëndetit Publik dhe Instituto Superiore di Sanità, duke formalizuar një partneritet të qëndrueshëm që synon avancimin e ekspertizës, forcimin e kapaciteteve dhe harmonizimin me standardet më të mira bashkëkohore.

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Evis Sala në fjalën e saj evidentoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi në fusha kyçe të shëndetit publik.

Përmes këtij Memorandumi, ne vendosim një kornizë të qartë bashkëpunimi në fusha prioritare si survejanca epidemiologjike, rezistenca antimikrobiale, shëndeti mjedisor, siguria ushqimore dhe sëmundjet jo të transmetueshme, duke i dhënë një rol të veçantë inovacionit dhe teknologjisë në shëndetin publik”, theksoi ministrja Sala.

Ministrja vlerësoi rolin e këtij partneriteti në përmirësimin e përgjigjes së sistemit shëndetësor ndaj sfidave aktuale dhe të ardhshme.

Në një botë ku kërcënimet ndaj shëndetit nuk njohin kufij, ne kemi zgjedhur të mos jemi thjesht reagues, por kontribues aktivë në zgjidhje. Për këtë arsye po forcojmë qasjen One Health, duke e parë shëndetin si një ekosistem të ndërlidhur midis njeriut, mjedisit dhe kafshëve”, tha Sala.

Së shpejti, do të nisë edhe puna në Korpusin e ri të Laboratorëve, në të cilin do të përfshihen të gjithë laboratorët e sëmundjeve infektive dhe jo infektive dhe ku për herë të parë do të ketë dy laboratorë të nivelit të tretë të biosigurisë. Gjithashtu, ai do të shërbejë për kërkime shkencore dhe për përgjigje më të shpejtë dhe më gjithëpërfshirëse ndaj emergjencave. Korpusi po pajiset me teknologjinë më të fundit dhe të gjithë laboratorët do t’i përmbahen standardeve europiane të shëndetit publik.

Ambasadori Italian në Tiranë, Marco Alberti vlerësoi zgjerimin e vazhdueshëm të partneritetit strategjik ndërmjet dy vendeve në sektorin e shëndetësisë, ndërsa theksoi se memorandimi i firmosur sot, është pjesë e marrëveshjes kuadër ndërmjet dy qeverive.

Ndërsa, Presidenti i Instituto di Sanita, Rocco Bellantone tha se ky memorandum ka vlerë specifike vazhdimësie pasi integron dhe zhvillon bashkëpunimin e nisur ndër vite midis institucioneve tona, duke i dhënë atij një strukturë të rinovuar dhe një program pune të orientuar drejt së ardhmes dhe me shtrirje të gjerë.

Memorandumi i Bashkëpunimit ndërmjet ISHP dhe ISS, do të forcojë bashkëpunimin institucional në fushën e shëndetit publik dhe do të mundësojë zhvillimin profesional të teknikëve përmes shkëmbimit të praktikave, mundësinë e trajnimit për stafet dhe rritjen e kapaciteteve nëpërmjet programeve të përbashkëta dhe eksperiencës së ndërsjelltë.

Top Channel