Fiks Fare/ 9 muaj që nuk përqafon djalin 2-vjeçar, nëna nga Durrësi denoncon: Ma mbajnë peng. Policia: Ik qërohu

21/04/2026 20:50

Një nënë nga Durrësi denoncon një situatë dramatike, ajo prej më shumë se 9 muajsh  nuk ka mundur të shohë djalin e saj 2-vjeçar, i cili sipas saj mbahet nga ish-bashkëjetuesi, një person që ligjërisht nuk rezulton babai i fëmijës.

E përlotur, ajo tregon se është ndarë nga ish-partneri për shkak të konsumit të alkoolit, dhunës dhe fyerjeve të vazhdueshme. Pas ndarjes, ajo ka mbajtur vajzën 1-vjeçare, ndërsa djali 2-vjeçar është marrë nga ish-bashkëjetuesi.

“Që nga shtatori nuk e kam parë djalin. Më ka marrë malli, po plas”, shprehet ajo.

Sipas saj, fëmija jeton në kushte të vështira, pasi nëna e ish-bashkëjetuesit është invalide, ndërsa ai vetë konsumon vazhdimisht alkool. Ndërkohë, fëmija rezulton pa atësi të njohur ligjërisht, pasi nëna nuk kishte përfunduar një vit nga divorci i mëparshëm në momentin e lindjes.

Denoncuesja thotë se i është drejtuar policisë dhe shërbimit social, por pa marrë zgjidhje konkrete.

“Kam shkuar në polici, më thonë ‘nuk kemi çfarë bëjmë’. Edhe shërbimi social vetëm më pret me takime”, tregon ajo.

Gjatë përballjes me ish-bashkëjetuesin, ky i fundit refuzon të dorëzojë fëmijën, duke deklaruar se ka hapur një proces gjyqësor për njohjen e atësisë.

“Nuk e jap fëmijën. Të mbarojë gjykata pastaj”, shprehet ai.

Por sipas burimeve, procesi aktual gjyqësor lidhet vetëm me njohjen e atësisë dhe jo me kujdestarinë e fëmijës, e cila kërkon një procedurë të veçantë ligjore. Deri në përfundim të këtij procesi, ai nuk ka status ligjor si prind. I ati e arsyeton veprimin e tij se “këtë marrëveshje kemi bërë në polici me gojë pa nënshkruar një dokument, ajo do mbajë vajzën unë djalin”.

Punonjëset e shërbimit social kanë kërkuar që fëmija t’i kthehet nënës dhe kanë paralajmëruar se mbajtja e tij në këto kushte mund të përbëjë shkelje ligjore. Madje, ato kanë sugjeruar se rasti mund të trajtohet edhe si pengmarrje.

Megjithatë, kur nëna i është drejtuar sërish policisë, ajo pretendon se është përballur me refuzim dhe komunikim të papërshtatshëm.

“Bëje kallëzimin në gjykatë. Mos më merr më në telefon, qërohu”, i është thënë nga një efektiv policie, sipas saj.

Ndërkohë, në mungesë të një zgjidhjeje, nëna endet mes institucioneve me shpresën për të rifituar të drejtën për të qenë pranë djalit të saj.

 

Top Channel