Protesta e opozitës/ Gazetarja kritikon PD: Nuk janë të qartë në veprimet e tyre. Bala: Linçimi i efektivëve nga opozita është i turpshëm

20/04/2026 21:30

Mbrëmjen e sotme në “Top Story” nga Grida Duma gazetarët Anila Basha dhe Anri Bala kritikuan veprimet e Partisë Demokratike gjatë protestës së 17 prillit.

Gazteari Anri Bala tha se linçimi publik që opozita po i bën efektivëve të policisë është i turpshëm dhe shtoi se këto taktika nuk do ta çojnë askund Partinë Demokratike.

“Besoj se protestat e PD do kishin kuptim edhe pa molotovë. Pas 21 janarit Rama e hoqi gardhin që të tregonte se mund të protestohet pa gjuajtur drejt pjesëmarrësve. Unë mendoj që ai që po e mban gjallë protestën është Rama.

Ai molotovi në shishe të mbyllur nuk është molotov, ato janë gati gati bomba.

Pra logjika është që kemi hedhur molotov deri tani dhe nuk ka pasur fatalitete, pra të hapet grupi aty në mes dhe le të hidhet molotovi, është si të thojë një kriminel më lë të gjuaj me armë për qejf se nuk vras njeri.

Unë do isha dakord t’i lënë këta të të bëjnë çfarë të duan. Këta kanë bërë protesta të njëpasnjëshme, kanë bërë çfarë kanë dashur. Tani ka ndryshuar taktika e këtyre, nxjerrin fytyra policësh dhe thonë shikoni çfarë do t’iu bëjmë. Por ata s’kanë frikë sepse ju nuk vini kurrë në pushtet”, u shpreh gazetari Anri Bala.

Ndërkohë gazetarja Anila Basha tha se përsëritja e të njëjtit skenar në çdo protestë nuk e ndihmon opozitë dhe shprehu se kjo e fundit nuk është e qartë në veprimet e saj.

“Duke shprehur keqardhjen për të gjithë deputetët e PD dhe duke marrë të mirëqenë nivelin e dhunës nga fjalët e Klevisit. Një aspekt i rëndësishëm politik është pjesëmarrja. Duket sikur po bëhen për t’u bërë.

PD është përqendruar te momenti i fishekzjarrëve dhe me këto shishet të cilat hidhen ndaj Kryeministrisë. Nëse qëllimi është të ketë vetëm këtë imazh për të bërë lajm në mediat ndërkombëtare, mendoj që kjo Ramën nuk e shqetëson, madje prish edhe reputacionin e opozitës në kancelaritë evropiane.

Thelbi mbetet i njëjti, vitin tjetër kemi zgjedhje dhe numrat që shohim në këtë protestë, nuk janë aspak të mira për të qenë shpresëdhënëse.

Ndërsa nga ana e mazhorancës ka artikulim të qartë se çfarë po bëjnë, nga ana e opozitës nuk ka fare qartësi në veprimet e tyre”, u shpreh Anila Basha.

 

 

Top Channel