Presidenti i La Ligës i kundërvihet Realit: T’i lënë kritikat për arbitrat dhe të shohin kampionatin, ka ende pikë në lojë

20/04/2026 19:39

Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të trajnerit të Real Madridit, Alvaro Arbeloa, lidhur me vendimet e gjyqtarëve në kampionatin spanjoll.

Tebas i hodhi poshtë ankesat e Arbeloas, duke sugjeruar se argumentet e tij nuk janë të qëndrueshme. “Ditën tjetër, ai tha të njëjtën gjë edhe për gjyqtarin në ndeshjen me Bayern Munich. Ishte i njëjti stil argumentimi”, ka thënë Tebas, sipas “Mundo Deportivo”.

Kreu i La Ligës e vazhdoi kritikën, duke shtuar: “Një ditë thotë një gjë, pastaj një tjetër, pastaj diçka tjetër”. Këto komente vijnë pasi Arbeloa vuri në dyshim standardin e gjykimit pas përballjes së fundit të Real Madridit në kampionat ndaj Gironës. Ai kishte lënë të kuptohet se vendimet kontroverse mund të jenë një ndër arsyet pse Real Madridi ka pasur më shumë sukses në Evropë sesa në garat vendore vitet e fundit.

Megjithatë, Tebas u bëri thirrje madrilenëve të fokusohen te gara për titullin, duke theksuar se sezoni ende nuk ka përfunduar. “Real Madridi duhet të përpiqet të vazhdojë të garojë. Ka ende ndeshje në La Liga dhe ka mjaft pikë në lojë”, u shpreh Tebas. Ai minimizoi edhe mundësinë që Barcelona ta “mbyllë” shpejt garën: “Barcelona nuk do t’i fitojë të gjitha, larg kësaj. Jam i bindur për këtë. Ka ende pikë për t’u luftuar”.

Top Channel