“Po falimentojmë”/ Fermerët po shesin lirë, në Roskovec kastraveci grumbullohet me 20 lekë për kg

20/04/2026 12:24

Prej disa ditësh, fermerët e Roskovecit po përballen me një rënie drastike të çmimit të kastravecit në pikat e grumbullimit, ndërsa në tregje ai shitet nga 120 deri në 150 lekë për kilogram.

Në zonën e Sukut 1, ata thonë se vetëm katër ditë më parë çmimi ishte rreth 40 lekë/kg, ndërsa sot ka zbritur në 20 lekë, madje në disa raste prodhimi nuk po blihet fare. Fermerët shprehen se me këto çmime nuk arrijnë të mbulojnë as kostot minimale të prodhimit, ndërsa shpenzimet për farëra, plehra kimike dhe mirëmbajtjen e serave janë në rritje të vazhdueshme.

Një tjetër shqetësim mbetet mungesa e fuqisë punëtore, pasi gjithnjë e më pak persona zgjedhin të punojnë në bujqësi, duke e bërë edhe më të vështirë përballimin e situatës.

Të gjendur përballë humbjeve, shumë fermerë paralajmërojnë se mund të braktisin serat dhe të emigrojnë, çka rrezikon të thellojë më tej krizën në bujqësi. Ata kërkojnë vendosjen e një tabele javore orientuese për çmimet, për të shmangur luhatjet e forta dhe pasiguritë në treg.

Top Channel