Fiks Fare vijoi të denoncojë veprimet e institucioneve ligjzbatuese në Sarandë, të cilat ende nuk kanë zbardhur ngjarjen e rëndë të datës 5 shkurt 2026, ku në automjetin e Mirash Gjikolajt u vendos një sasi e madhe tritoli.
Në vend që këto institucione, apo punonjësit e tyre, të merren me zbulimin e autorëve, shoqërojnë, kërcënojnë e madje e godasin me shpullë denoncuesin e këtij skandali.
Në ambientet e televizionit Top Channel është paraqitur sërish denoncuesi, Mirashi, së bashku me automjetin e tij, të cilën ia ka kthyer prokuroria. “Në datën 16 prill u transmetua ngjarja e rëndë që më ndodhi mua e familjes sime, një ditë më pas më kthyen makinën. Falënderoj Fiksin, se të ishte për ta, edhe pas 2 vitesh nuk e merrja pas”, pohon ai.

Më tej, tregon edhe vendin që i kanë vendosur plot 6 kallëpe me tritol. “Të ishte për ta, sot do isha i vdekur. E vendosën poshtë sediljes, të këtij mjeti që e kam për punë. Unë i di autorët, janë lehtësisht të dallueshëm, nga veshja dhe ecja. Po këta të prokurorisë s’duan që t’i kapin”, pohon Mirashi.
Më tej, ai tregon edhe ndodhinë e fundit. “Në datën 16 prill 2026, ditën që në Fiks Fare u transmetua historia ime, rreth orës 21.30, në ambientet e shtëpisë sime në fshatin Shëndelli, ka ardhur një furgon i policisë. Ishte një oficer i policisë gjyqësore, Artan Bajrami, sëbashku me SPZ-në e zonës dhe një polic tjetër. Më kërkuan që të shkoja me ta”, pohon Mirashi.

Ai thotë se, oficeri i ka kërkuar me ngulm telefonin. “Nuk ia dhashë se s’kishte asnjë mandat apo urdhër. I thashë kur të shkoj në polici apo prokurori do t’ua jap. Kishte një mllef të madh. Unë jam viktimë në këtë rast, jo autori”, shton Mirashi, teksa thotë se s’ka kundërshtuar dhe ka ikur me furgon.
“Rrugës për në prokurori, në afërsi të urës së Vrinës, brenda në furgonin e policisë, oficeri Artan Bajrami më kërkoi sërish telefonin. Nuk pranova dhe ai më ka futur dorën në xhep dhe ma ka marrë. Madje, më goditi me shpullë në kokë”, thotë më tej Mirashi. Më pas ka shkuar në Prokurorinë e Sarandës, ku në ambientet e organit të akuzës ka takuar prokuroren Valbona Maja.

“Prokurorja me një ton të ashpër më kërkonte llogari se përse e denoncova. Pretendonte se i prisha hetimet, kur unë s’kisha asnjë lloj informacioni dhe isha i pambrojtur. Në vend që të më mbrojnë mua, ata mbrojnë ata që më vendosën tritol. Jam i pambrojtur ndaj dhe iu drejtova sërish Fiksit”, pohon Mirash Gjikolaj.
Ai thotë se prokurorja i kërkonte se nga i kishte marrë informatet, kur në fakt vetë ajo prokurore ka firmosur te të gjitha dokumentet. Në zarfin që Prokuroria e Sarandës i ka dërguar Mirashit jepen të dhëna për hetimin e dosjes, madje ka edhe emra, vula apo numër protokolli nga Prokuroria e Sarandës.
Fiks Fare kontaktoi edhe me prokuroren Valbona Maja për pretendimet e denoncuesit Mirash Gjikolaj. “Nuk është shoqëruar me forcë. Është marrë për deklarime, është shoqëruar se ishte ora e vonë e natës dhe është shoqëruar për siguri me makinë dhe është çuar po me makinë në shtëpi. Me grusht jo, jo. Do të m’i kishte thënë mua ai. Për bukuri ishte, nuk kishte goditje apo shenja, sepse kam qenë vetë prezent kur i janë marrë deklarimet Mirashit”, deklaron prokurorja.

Ajo tha se në asnjë moment, denoncuesi nuk tha se oficeri ka dashur t’a godiste, as që oficeri ka dashur t’i marri celularin. “Unë me Mirashin dy ditë më përpara kishte ardhur për kthimin e makinës dhe ia ktheva. Mirashit i thashë që ke bërë gabim që e nxore këtë moment se po më prish hetimet. Mirashi prandaj ka qenë për të parë se ça ka vënë në dispozicion Fiksit dhe nga është siguruar dokumenti tjetër që nuk i përkiste Mirashit, kaq! Momentalisht nuk ju jap dot informacion pasi jam në hetime e sipër. Çështja është nën hetim dhe s’mund të jap dot asnjë lloj informacioni”, përfundoi prokurorja.
Top Channel