I eliminuar në Ligën e Kampioneve dhe 9 pikë prapa Barcelonës në La Liga kur kanë mbetur edhe 7 ndeshje deri në fund të sezonit, te Reali i Madridit ka nisur puna për sezonin e ardhshëm dhe çështja më e nxehtë që duhet të zgjidhë Florentino Perez është ajo e pankinës.

Gjithçka tregon se Alvaro Arbeloa nuk do të vazhdojë të jetë trajneri i Realit të Madridit me Perez që ka vendosur të zhvillojë një takim me të në ditët e ardhshëm. Në këtë pikë lista e kandidatëve për t’u ulur në pankinën e Los Blancos është e gjatë. Në fillim u përmendën emrat e Mauricio Pochettino dhe Jürgen Klopp, por në orët e fundit është përforcuar ideja e kthimit të mundshëm te Jose Mourinho.

Është e përditshmja portugeze ‘Record’ që flet për një mundësi të tillë me Mourinhon që e ka drejtuar skuadrën merenges në periudhën 2010-2013. Në moshën 63 vjeçare, ka drejtuar  edhe Chelsea, Manchester United, Tottenham, Roma, Fenerbahçe dhe Benfica pas largimit nga Reali i Madridit dhe për të kjo mund të jetë një etapë e dytë në stolin e Los Blancos.

Tashmë kanë kaluar 13 vjet që nga largimi i Mourinhos nga kryeqyteti spanjoll ku me Realin fitoi një Kupë Mbreti dhe një Superkupë Spanje, ndërkohë që ka luajtur edhe 3 gjysmëfinale të Ligës së Kampioneve. Fakti kurioz është se në atë kohë, nën urdhrat e tij kanë qenë si Xabi Alonso ashtu edhe Alvaro Arbeloa, dy trajnerët që kanë drejtuar Realin e Madridit gjatë këtij sezoni dhe të cilët ai do të pasojë nëse kjo lëvizje do të konkretizohet. Në anën tjetër, te skuadra aktuale nuk ka asnjë lojtar të epokës së Mourinho në Madrid. Në vitet e fundit karriera e luzitanit ka qenë në rënie, por një rikthim i tij te Reali do ta rigjallëronte atë.

Top Channel