Nënë e katër fëmijëve, Fjoralba po përballet çdo ditë me një realitet të vështirë, të hedhë pas krahëve dhunën në familje dhe të ndërtojë e vetme një jetë të sigurt për fëmijët e saj.
Me një urdhër mbrojtjeje dhe në proces divorci, ajo nuk ka asnjë mbështetje nga babai i fëmijëve për rritjen e tyre. E gjithë përgjegjësia ka rënë mbi të.
Për të siguruar jetesën, ajo bën dy punë. Ditët i ndan mes angazhimeve të shumta dhe përkujdesjes për fëmijët, që janë arsyeja e vetme për t’ia dalë mbanë.
“Ishim në gjendje të terrorizuar prej tij. Ai dhe pine, në sherr e sipër mund të ndodhte më keqja. Kur i shoh fëmijët që nuk kanë frikë të thonë një fjalë, vetëm qetësia e tyre më jep forcë”, u shpreh ajo.
Histori të ngjashme nuk janë të pakta dhe pse shumë gratë hezitojnë t’i rrëfejnë ato. Vetëm vitin e kaluar nga 685 padi për “zgjidhje martese” në Durrës, 411 u paraqitën nga gratë. Sipas psikologëve, pas këtyre shifrave fshihen shpesh histori të vështira, ku dhuna dhe konfliktet në familje lënë pasoja, sidomos tek fëmijët.
Shumë gra, sipas psikologes Kasa, hezitojnë të flasin, për shkak të frikës, varësisë ekonomike dhe paragjykimeve, duke e bërë edhe më të vështirë daljen nga një marrëdhënie e dhunshme.
Ndërsa përballet çdo ditë me sfida të shumta, Fjoralba vijon të punojë dhe të sakrifikojë për t’u dhënë fëmijëve të saj një jetë më të mirë, larg frikës dhe pasigurisë.
Top Channel