Fiks Fare/ “Paratë i merr vetëm nëse nuk del në TV”, mashtrim me kurset estetike, paguan 1100 euro për kurse që s’u bën dhe përballet me kërcënime

17/04/2026 20:50

Një denoncim i rëndë është bërë publik në emisionin investigativ “Fiks Fare”, ku një qytetare ngre akuza për mashtrim dhe trajtim abuziv nga një qendër estetike në Tiranë.

Drilona Beshiri tregon se ka paguar rreth 1100 euro pranë “Era Estetic Academy” për tre kurse: thonj, qerpikë dhe vetulla. Sipas saj, ajo ka përfunduar vetëm kursin e thonjve dhe është pajisur me certifikatë përkatëse.

Për dy kurset e tjera, qerpikë dhe vetulla, situata është krejt ndryshe. Ajo thotë se ka ndjekur vetëm katër ditë mësim për kursin e qerpikëve dhe nuk ka nisur fare kursin e vetullave, pavarësisht pagesës së plotë.

Qytetarja pretendon se ka kërkuar disa herë kthimin e parave, por është përballur me refuzime, ofendime dhe kërcënime nga pronarja e qendrës, e cila sipas saj e ka etiketuar edhe si “skizofrene”.

Në dispozicion të emisionit janë vendosur edhe audio-regjistrime nga ambientet e qendrës, ku dëgjohet pronarja duke refuzuar kthimin e parave dhe duke përdorur gjuhë fyese ndaj klientes.

Gazetarët e “Fiks Fare” janë përballur gjithashtu me pronaren e qendrës estetike, e cila ka dhënë deklarata kontradiktore. Ajo ka pretenduar fillimisht se klientja “nuk ishte mirë nga ana mendore”, ndërsa më pas ka pranuar se regjistrimi në kurs është bërë pa verifikime të plota.

Në të njëjtën kohë, ajo ka konfirmuar se certifikatat janë printuar edhe pse kurset nuk janë ndjekur plotësisht, duke ngritur dyshime serioze mbi mënyrën e funksionimit të akademisë.

Në një moment, pronarja është shprehur e gatshme të kthejë 700 euro për kursin e vetullave, por ka vendosur një kusht të pazakontë: që rasti të mos transmetohet në emision.

“S’ka kthim parash nëse del në TV. Nëse nuk del, i merr”, është shprehur ajo sipas denoncimit.

FOTO GALERI
1/4

Top Channel