Dialogu i dytë në Bruksel për sigurinë/ Shqipëria dhe BE thellojnë bashkëpunimin, në fokus Ukraina, Ballkani dhe zgjerimi i Unionit

17/04/2026 13:21

Shqipëria dhe Bashkimi Europian kanë zhvilluar dialogun e dytë në Bruksel në kuadër të Partneritetit për Siguri dhe Mbrojtje.

Shqipëria rikonfirmoi linjëzimin me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, duke theksuar rolin e saj si një partner i besueshëm dhe proaktiv.

Në këtë kuadër, vendi ynë mirëpret nismat kryesore të BE-së për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe shpreh gatishmërinë për të kontribuar aktivisht, përfshirë përmes pjesëmarrjes në misione dhe programe të përbashkëta.

Në fokus të diskutimeve ishte edhe situata e sigurisë në Europë, ku agresioni i vazhdueshëm i Rusisë kundër Ukrainës vijon të përbëjë një kërcënim serioz për stabilitetin rajonal dhe global. Shqipëria rikonfirmoi solidaritetin e saj të palëkundur me Ukrainën dhe përkushtimin për mbështetjen e paqes, sovranitetit dhe respektimit të së drejtës ndërkombëtare.

Sa i përket rajonit, u theksua se stabiliteti i Ballkanit Perëndimor është i lidhur ngushtë me sigurinë e gjithë Evropës. Shqipëria mbetet e angazhuar për promovimin e marrëdhënieve të mira fqinjësore, forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe mbështetjen e procesit të integrimit evropian për të gjitha vendet e rajonit.

Në përfundim, zgjerimi i Bashkimit Europian u vlerësua si një instrument strategjik kyç për garantimin e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit afatgjatë. Shqipëria rikonfirmon vendosmërinë e saj për të vijuar rrugën drejt anëtarësimit në BE, duke kontribuar në ndërtimin e një Europe më të sigurt, më të fortë dhe më të bashkuar.

Top Channel