Takim historik Liban-Izrael, përballja e parë që nga viti 1993: “Zhdukni” Hezbollahun

15/04/2026 13:49

Përfaqësues izraelitë dhe libanezë u takuan për herë të parë pas më shumë se tre dekadash për bisedime të drejtpërdrejta politike, një ngjarje kjo që u përshkrua nga Shtetet e Bashkuara si një “moment historik”.

Një raund tjetër i takimeve pritet të pasojë së shpejti. Qëllimi i takimit në Washington ishte të ndalen luftimet mes Izraelit dhe Hezbollahut, të mbështetur nga Irani.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, i cili ndërmjetësoi bisedimet, foli për një mundësi të rrallë për t`i dhënë fund ndikimit të Hezbollahut.

Një deklaratë e SHBA-së sqaroi më pas se të dy palët kanë rëndë dakord  të nisin negociata të drejtpërdrejta, në një kohë dhe vend të përcaktuar më vonë.

Izraeli e bëri të qartë se kërkesa e tij kryesore është çarmatimi i të gjitha grupeve terroriste jo-shtetërore, duke iu referuar këtu sidomos Hezbollahut.

Libani kërkoi një armëpushim dhe masa për zgjidhjen e krizës humanitare. Dy vendet nuk kanë marrëdhënie diplomatike, dhe bisedimet e fundit të drejtpërdrejta në nivel të lartë midis tyre kanë ndodhur në vitin 1993.

Ambasadori izraelit në Uashington, Jechiel Leiter e cilësoi bisedën si pozitive, duke theksuar se ekzistojnë fusha ku dy vendet ndajnë qëndrime të përbashkëta. Megjithatë, ai nënvizoi se Libani duhet të shihet si plotësisht i pavarur nga Irani dhe milicia shiite libaneze Hezbollah, e cila është aleate e Teheranit.

Vetë sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, theksoi nevojën për një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet Liban-Izrael.

Ai tha se “Hezbollah dhe Izraeli kanë ndihmuar gjithmonë njëri-tjetrin në destabilizimin e qeverisë libaneze”, duke theksuar se për herë të parë ka ardhur koha që dy vendet të bashkëpunojnë.

Top Channel