Aksione në Tiranë dhe Krujë, policia arreston dy të rinj për shitje të lëndëve narkotike

15/04/2026 15:53

Policia e Krujës dhe ajo e Tiranës kanë goditur dy raste të tregtimit të lëndëve narkotike, teksa kanë bërë të mundur arrestimin e një 19-vjeçari me iniciale A. M. dhe 30-vjeçarit A. K.

Ky i fundit është kapur në flagrancë në rrugën “Mine Peza” me lëndë të dyshuar si kokainë në automjetin e tij, teksa pas kontrollit në banesë i është gjetur edhe një sasi tjetër, gati për shitje.

Sakaq, 19-vjeçari posedonte një sasi prej 256 gramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis, të cilën e kishte në zotërim me qëllim shitjen.

NJOFTIMI I POLICISË

DVP Tiranë – Finalizohet operacioni i koduar “Same”. Goditen 2 raste të tjera të shitjes së lëndëve narkotike.

Shiste Kokainë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 30-vjeçari.

Iu gjet në banesë, lëndë narkotike cannabis, që dyshohet se e posedonte me qëllim shitjen në qytetin e Krujës, vihet në pranga 19-vjeçari.

Sekuestrohen sasitë e lëndëve të dyshuara narkotike kokainë dhe cannabis, celularët e të arrestuarve dhe automjeti që përdorte njëri prej tyre.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr. 3 dhe të Komisariatit të Policisë Krujë, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, goditën 2 raste të kësaj veprimtarie kriminale dhe arrestuan shtetasit:

– A. K., 30 vjeç, banues në Tiranë dhe A. M., 19 vjeç, banues në Krujë.

-Shërbimet e Policisë kanë ndaluar në rrugën “Mine Peza”, automjetin që drejtonte 30-vjeçari, në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën sasi të lëndës së dyshuar narkotike kokainë. Në vijim, gjatë kontrollit në banesën ku ai jetonte me qira, u gjet sasi tjetër e lëndës së dyshuar narkotike kokainë, që 30-vjeçari e posedonte më qëllim shitjen.

– Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit në banesën e 19-vjeçarit, gjetën 256 gramë lëndë të dyshuar narkotike Cannabis Sativa, që dyshohet se ky shtetas e posedonte me qëllim shitjen në qytetin e Krujës.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Top Channel