“Shqipëria s’është më vendi që i kërkon diasporës kujtesë dhe indulgjencë monetare”, Rama në Samit: Sot pandëshueshmëria është mit i të kaluarës
Kryeministri Edi Rama në Samitin e Diasporës u ndal tek procesi i anëtarësimit në BE dhe roli i Shqipërisë në rang ndërkombëtar.
Rama u shpreh se dikur Shqipëria përpiqej për mbijetesë, e ndërsa sot për tu përmirësuar. Ai shtoi se sot Shqipëria respektohet ndërkombëtarisht si kurrë më parë.
“Atëherë, kur ju erdhët në samitin e parë, e ardhmja europiane ishte aspirata që mbetej larg. Sot e ardhmja europiane është një tryezë, ku jemi të ulur çdo ditë bashkërisht, ballë për ballë, ne dhe Komisioni Europian me ambicien e përbashkët për të mbyllur negociatat deri në fund të vitit 2027. Sot nuk duket më një kumt dëshiror në ajër, por është një fjalë që zë vend si çdo fjalë e përditshme. Ajo që Ismail Qemali tha në momentin themelues të shtetit tonë: – “Shqipëria do të bëhet”.
Në gojën e atit të pavarësisë, ajo fjali nuk ishte një përshkrim, ishte një besim. Një besim që kaloi nëpër breza, përmes peripecish të mëdha, dështimesh tragjike, ringritjesh frymëzuese. Një besim që sot si kurrë ndonjëherë ka marrë trajtën konkrete të shtetbërjes europiane të Shqipërisë dhe të objektivit që tanimë nuk parafytyrohet, por shihet, preket me sy më afër se kurrë për ta ulur Shqipërinë në tryezën e familjes europiane, si të barabartë mes të barabartësh në vitin 2030.
Fan Noli na kujtonte se Shqipëria nuk mund të rrojë pa shqiptarët e saj dhe sot kur shqiptarët janë sa brenda aq dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, ndërsa Shqipëria është në të përpjetën e fundit drejt bashkimit të shumë ëndërruar me Europën, kjo fjalë e korifeut të shqiptarisë merr një kuptim dhe një forcë të posaçme.
Ashtu siç merr një kuptim dhe një forcë të posaçme edhe paralajmërimi i mprehtë i korifeut tjetër Faik Konicës, i cili na porosit: “se një komb nuk mund të mbështetet tek iluzionet për veten, por tek aftësia për t’u vetë përmirësuar, vazhdimisht”.
Dhe pikërisht këtu qëndron ndryshimi më i madh i kësaj dekade, ku edhe falë reformash transformuese dhe përpjekjes intensive integruese me Bashkimin Europian kemi kaluar nga një Shqipëri që përpiqej të mbijetonte në një Shqipëri që përpiqet të përmirësohet; nga një Shqipëri që kërkonte të pranohej ndërkombëtarisht mes mosbesimit të përgjithshëm, në një Shqipëri që respektohet dhe besohet si kurrë më parë në arenën ndërkombëtare.
Shqipëria sot nuk është gjëkundi më Shqipëria që shumë prej jush lanë pas. Është një vend që ndryshon çdo ditë, ndonjëherë ngadalë, ndonjëherë më shpejt se sa e kemi pritur edhe ne vetë, por në mënyrë të padiskutueshme dhe të pakthyeshme Shqipëria ecën vetëm përpara“, tha Rama.
Top Channel