Xabi Alonso, Enzo Maresca dhe Jurgen Klopp, 3 emra të mëdhenj të pankinave duket se janë gati t’i kthehen profesionit të tyre. Por nëse dy të parët lajmi nuk është një surprizë, për gjermanin ka disa dyshime dhe kjo është e natyrshme.

Kur ish trajneri i Liverpool përpara dy vitesh vendosi të lërë profesionin e tij për  rolin e Përgjegjësit të futbollit te grupi Red Bull, dukej se ishte rasti klasik kur një person rreth të 60-ve mendon se ka ardhur momenti për një detyrë më pak stresuese. Kush nuk i ka mundësitë është i detyruar të presë edhe 10 vjet për të parë pensionin, ka nga ata qeë janë të pasur dhe të famshëm që mund të zgjedhin  të shijojnë llogaritë bankare apo t’iu dedikohen aktiviteteve prestigjioze por që të lejojnë të kesh më shumë kohë për vete.

Jurgen Klopp zgjodhi këtë rrugë të dytë, por zërat pranë teknikut gjerman flasin për një lloj nostalgjie që po ndjen Klopp për adrenalinën që vetëm pankina mund të ta japë. Për më tepër, kanë filluar të qarkullojnë zëra që e lidhin Klopp me stolin e Realit të Madridit, por që gjithnjë janë përgjënjeshtruar nga drejtuesit e Red Bull që nuk e kanë fshehur pakënaqësinë për zhurmën rreth punonjësit të tyre. Situata tani duket ndryshe, te Los Blancos nuk janë aspak të kënaqur me menaxhimin e Arbeloas dhe tashmë dihet që durimi nuk është pika më e fortë e Florentino Perez. Mjafton të mos fitosh një titull për më shumë se 6 muaj dhe bën gati valixhet. Te Reali tani po mendohet seriozisht që të tentojnë sërish për Klopp edhe pse qasja taktike në ato anë është larg asaj të trajnerit gjerman. Por gjermani është i mësuar me fitoret dhe kjo është një pikë në favor që drejtuesit e Realit të Madridit e konsiderojnë shumë të rëndësishme

Te Liverpooli, me largimin gjithnjë e më të mundshëm të Slot hidhet hipoteza e rikthimit të bujshëm te Të Kuqtë e një trajneri që do të pritet me krahëhapur një një ambient që të cilit ai ia ka kthyer dashurinë. Por në Anfield është krijuar një ndjesi se dikush po bëhet kurban për një rikthim tjetër të madh; ai i Xabi Alonsos. Një lider i skuadrës si futbollist dhe i lirë nga çdo impenjim pas shkarkimit nga Reali i Madridit, ish mesfushori spanjoll ka qenë në shënjestrën  e Liverpoll që përpara se të merrte Slot, pas sezonit triumfues me Bayer Leverkusen me të cilin Xabi Alonso ndërpreu hegjemoninë e Bayernit të Mynihut. Në atë kohë vendosi të qëndrojë, por tani nuk i detyrohet askujt

Një tjetër emër i destinuar për t’u rikthyer është ai i Enzo Maresca. Chelsea pësoi një rënie drastike pas largimit të trajnerit italian i cili tani është vënë në listën e dëshirave të disa klubeve. Maresca është kurorëzuar nga vetë Guardiola si pasuesi i katalanasit te Manchester City kur kontrata t’i skadojë në 2027. Megjithatë ka nga ata që mendojnë se nëse Citizens do të fitojnë Kupën e Ligës, FA Cup dhe kampionatin, Pep Guardiola mund të vendosë të largohet përpara kohe. Në këtë rast Maresca është i favorizuar edhe pse një sy është edhe nga Andoni Iraeola që pritet të largohet nga Bournemouth në fund të sezonit.

 

Top Channel