Presidenti i Napoli, Aurelio De Laurentiis, ka rikthyer në vëmendje disa vendime të rëndësishme të merkatos së kaluar, duke pranuar se shitja e Khvicha Kvaratskhelia-s ishte një gabim.

Në një intervistë për “The Athletic”, De Laurentiis foli hapur për çështjen e besnikërisë në futboll, duke theksuar se lojtarët rrallë qëndrojnë për dashurinë ndaj fanellës. Ai solli si shembull pozitiv vetëm Marek Hamsik, ish-kapitenin e Napolit, i cili qëndroi për shumë vite në klub.

Duke u ndalur te merkatoja, presidenti zbuloi se kur nisi bashkëpunimin me trajnerin Antonio Conte, klubi kishte marrë një ofertë prej 200 milionë eurosh nga Paris Saint-Germain dhe ekipe të tjera për Victor Osimhen dhe Kvaratskhelia-n së bashku.

“Conte më tha: ‘Shite Osimhenin, por jo Kvara-n, të lutem’. Ishte një gabim i madh, sepse më pas pata probleme serioze me agjentin dhe babanë e lojtarit”, u shpreh De Laurentiis. Ai shtoi se trajneri nuk ishte dakord me këtë vendim, por klubi u detyrua të vepronte për arsye ligjore, duke iu referuar edhe presioneve nga rrethi i lojtarit, që kërkonte prishjen e kontratës përmes rregullave të FIFA-s.

Në fund, De Laurentiis kritikoi ashpër rolin e agjentëve në futboll: “Në kinemanë amerikane agjentët janë të rëndësishëm sepse ndihmojnë në suksesin e artistëve. Në futboll, agjenti është vetëm një vampir që thith para nga të gjitha anët.”

Top Channel