Barcelona kërkon mrekullinë në Metropolitano, Yamal jep mesazhin motivues përmes Instagramit
Këtë mesjavë rikthehet spektakli i Ligës së Kampioneve me ndeshjet e dyta çerekfinale. Sfidat e para dhanë leksione sic ishte fitorja e Bayernit në Madrid ndaj Realit, apo surpriza si fitorja e Atletico në Camp Nou ndaj Barcelonës. Po kështu kemi avantazhin e mirë të PSG ndaj Liverpool dhe suksesin premtues të Arsenalit në Lisbonë ndaj Sporting.
Fusha që do të ketë vëmendjen më të madhe do të jetë Allianz Arena ku Bayerni do të presë Realin e Madridit me tifozët bavarezë që presin që skuadra e Vincent Kompany që çojë deri në fund punën e nisur në Bernabeu. Bayerni është i pandalshëm në kampionat dhe ka krijuar një diferencë +12 pikë ndaj Borussia Dortmund kur kanë mbetur 5 javë nga mbyllja e kampionatit e për më tepër ka vendosur edhe një rekord me 105 gola të shënuara në Bundesligë. Olise, Gnabry e Diaz në mbështetje të Kane do të kërkojnë të bëjnë më mirë se Vinicius, Bellingham e Mbappé. Pritet të jetë një ndeshje yjore edhe pse Reali i Madridit vjen pas barazimit me Gironën që duket se ia ka dorëzuar titullin Barcelonës.
Kjo e fundit në kampionat shkatërroi Espanyolin në derbi me rezultatin 4-1, por në Metropolitano, do të duhet të zhvillojnë ndeshjen perfekte ashtu siç deklaroi edhe vetë trajneri Hansi Flick për të përmbysur suksesin 2-0 të Los Colchoneros në Camp Nou. Në Kupën e Mbretit, skuadra e Simeones kishte fituar thellë 4-0 në gjysmëfinalen e parë, por më pas katalanasit iu imponuan në sfidën e kthimit duke fituar 3-0 duke iu afruar shumë edhe golit të katërt që do të çonte atë ndeshje në kohë shtesë. Atletico Madrid humbi ndaj Sevillas në mbrëmjen e së shtunës, por skuadra madrilene në fushë kishte thuajse rezervat në fushë. Kështu Barcelonës do t’i duhet një tjetër sipërmarrje gjigande për të kaluar në gjysmëfinale
Arsenali do të kërkojë të kapitalizojë suksesin e arritur në Lisbonë ndaj Sportingut të Lisbonës, por problemet e Artetës janë ato që po shihen në Premier League. Pas një dominimi për shumë kohë të kampionatit, Topcinjtë po rrezikojnë të kompromentojnë gjithçka pas një sërë hapash falsë. I fundit ishte humbja në shtëpi ndaj Bournemouth dhe tani Arsenali sheh që diferenca me Manchester City u reduktua në 6 pikë me Citizens që kanë edhe një ndeshje për të rikuperuar, ndërkohë që në fundjavë është sfida direkte. Gjithsesi në këtë moment mendja është e gjitha te Sporting ndaj të cilit skuadra e Artetës do të kërkojë të vulosë kualifikimin për në gjysmëfinale
Më e lehtë duket detyra e kampionëve të fuqi të Ligës së Kampioneve, Paris Saint Germain që e fitoi ndeshjen e parë me Liverpool me rezultatin 2-0. Skuadra e Luis Enrique po shfrytëzon mjaft mirë lehtësirat nga Ligue 1 dhe një kalendar më pak të ngjeshur duke qenë se kampionati francez është me 18 skuadra. Liverpool, që po përjeton një vit tranzicioni fitoi me Fulham në fundjavë ku shënoi edhe Salah që tashmë nuk është më në qendër te projektit dhe që do të largohet nga The Reds pas 9 sezoneve triumfues.
Top Channel